Instituti Kombëtar për Demokraci (NDI) ka kryer një sondim të opinionit publik mbi çeshtjet LGBTI në Ballkanin Perëndimor. Intervistimet janë kryer me persona mbi 18 vjeç, duke përfshirë si publikun e gjërë me anketime ‘ballë për ballë” edhe anëtarë të komunitetit LGBTI me sondazh online, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Më shumë se 1000 intervistime “ballë për ballë” në secilin shtet, kanë nxjerrë se një nga problemet më të mëdha është mungesa e informacionit të publikut të gjerë ndaj çeshtjeve LGBTI. Edhe në vet identifikimin e personave që ne përfshijmë në këtë akronim ka mangësi. Shqiptarët kanë më tepër informacion që përsonat gej dhe lesbike përfshihen në kategorinë LGBTI, por kanë shumë më pak informacion për grupet biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë. Vetëm 8% e të anketuarve në vendin tonë, i janë përgjigjur plotësisht saktë pyetjes.

Në Shqipëri, vetëm 36% e popullsisë së përgjithshme të intervistuar mendon se personat LGBTI denigrohen nga familja, shoqëria apo kolegët në punë për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, ndërsa nga përgjigjet e anëtarëve të komunitetit LGBTI, shifra shkon në 76%.

Ndryshe nga disa prej vendeve të Ballkanit ku abuzuesit më të mëdhenj të dhunës psikologjike gjenden në shkolla apo nga huliganët në rrugë, në Shqipëri, në shumicën e rasteve, shkaktohet nga familja dhe miqtë. Por nuk ndodh e njejta gjë përsa i përket dhunës fizike. Personat e komunitetit LGBTI janë përgjigjur se dhuna fizike shkaktohet më së shumti nga të panjohurit në rrugë.

“Nëse fëmija im do të ishte LGBTI, do të bëja çmos që ta kuroja” mendojnë pothuajse njësoj vendet e Ballkanit. Por Shqipëria dhe Kosova, duket të jenë më radikale nga masat e tjera që do të ndërmerrnin, pasi një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur “Nuk do të flisja më me të” dhe “Do ta nxirrja nga shtëpia”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: