Vaksinimi i pacientëve kundër koronavirusit (COVID-19) që kanë marrë vaksinën AstraZeneca me vaksinën Pfizer është i sigurt dhe efektiv, tregojnë rezultatet paraprake nga një studim spanjoll i publikuar të martën.

Testimet e vogla klinike të udhëhequra nga Instituti Shëndetësor Carlos III i Spanjës zbuloi se kombinimi i vaksinave mund të siguronte mbrojtje më të madhe kundër virusit.

Antitrupat neutralizues tek njerëzit që morën dozën e dytë të vaksinës Pfizer u rritën shtatë herë në krahasim me ata që morën vetëm një dozë AstraZeneca.

Kjo është një rritje më e lartë se studimet e mëparshme të zbuluara kur u dhanë dy doza të AstraZeneca, tha Instituti i shëndetit publik.

Efektet anësore gjithashtu ishin relativisht të lehta tek ata që morën dozën e dytë Pfizer. Askush nuk kishte nevojë për trajtim serioz mjekësor, por 44 për qind raportuan dhimbje koke, 25 për qind kishin dridhje dhe 2.5 për qind patën ethe.

Testet klinike përfshinë 673 pjesëmarrës që morën dozën e parë AstraZeneca. Grupi i kontrollit kishte 232 persona të cilët nuk morën dozën e dytë të vaksinës ndërsa 441 personave të pjesës tjetër iu dha doza Pfizer.

Spanja përshpejtoi studimin pasi administroi vaksinën AstraZeneca tek rreth 2 milionë punonjës thelbësorë nën 60 vjeç. Pastaj, kur u gjet një lidhje e mundshme midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, vendi vendosi që AstraZeneca t’u jepet vetëm atyre mbi 60 vjeç.

“Rezultatet e sotme mbështesin vaksinimin e njerëzve që kanë marrë dozën e parë AstraZeneca me Pfizer, por vendimi përfundimtar nuk qëndron te studiuesit”, tha Jesus Antonio Frias i Institutit Shëndetësor Carlos III.

Autoritetet spanjolle të shëndetit më vonë do të diskutojnë se çfarë do të bëjnë në lidhje me punonjësit thelbësorë që kanë mbetur në paqartësi të vaksinës.

Daniel Lopez Acuna, ish-drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, argumentoi se studimi i vogël, me kufizime të konsiderueshme, nuk përbën një bazë solide për të marrë vendime të shëndetit publik.

“Studimi nuk shikoi njerëzit që morën dozën e dytë AstraZeneca ose Moderna dhe nuk është në gjendje të zbulojë efekte anësore me frekuencë të ulët”, shkroi ai në Twitter.

“Komisioni i Shëndetit Publik duhet të ndjekë rekomandimet e OBSH-së dhe Agjencisë Evropiane të Barnave dhe të miratojë dozën e dytë të AstraZeneca tek personat më të rinj se 60 vjeç”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb