NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Ditën e djeshme është zhvilluar mbledhja e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, i cili ka miratuar numrin total të kuotave të pranimit për vitin akademik 2016-2017, dhe janë 5.378 kuota të ndara sipas 6 fakulteteve dhe filialit të Sarandës. Këtë vit UT-ja ka propozuar 428 kuota më shumë se kuotat që qeveria miratoi vitin e shkuar. Po ashtu, një tjetër pikë që ka miratuar Senati Akademik i UT-së është niveli gjuhësor që do t’u kërkohet mijëra studentëve që do aplikojnë për të vijuar studimet e ciklit të dytë “Master Shkencor”. Niveli gjuhësor që ka miratuar Senati i UT-së është niveli gjuhësor B1, i një prej pesë gjuhëve të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht.

MASTERI SHKENCOR

Për të aplikuar në një program studimi të ciklit të dytë “Master Shkencor” në Universitetin e Tiranës, kandidatët duhet të kenë patjetër të mbrojtur me një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht një prej pesë gjuhëve të huaja kryesore të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht ose spanjisht, në nivelin gjuhësor B1. Vendimi i senatit ka ardhur në përputhje me Udhëzimin Nr.52, datë 03.12.2015, “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”.

Udhëzimi i MAS-it i miratuar në dhjetor 2015, parashikon mbrojtjen e një prej pesë gjuhëve të huaja kryesore të BEsë, ndërkohë që jemi në muajin korrik dhe MAS-i ka lidhur marrëveshje vetëm për gjuhën angleze dhe frënge, ndërsa për tri gjuhët e tjera nuk ka asnjë subjekt që e ofron këtë shërbim. Në faqen e saj zyrtare, MAS-i njofton studentët e interesuar për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë si dhe programet e integruara të ciklit të dytë, se ka certifikuar subjektet e para për ofrimin e testeve ndërkombëtare dhe lëshimin e certifikatave për gjuhën angleze. Subjektet private janë: S.T.A, British Council – Dega Shqipëri, English Cultural Institute shpk.

KUOTAT
Senati Akademik i UT-së ka miratuar 5.378 kuota pranimi për ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2016-2017. Propozimet e universiteteve dërgohen më pas në Ministri të Arsimit dhe miratohen nga qeveria. Fakulteti i Shkencave Sociale ka në total 1.258 kuota pranimi për vitin e ri akademik, dhe përbën numrin më të lartë të kuotave në UT në krahasim me pesë fakultetet e tjera. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka 830 kuota pranimi, ai i Shkencave Sociale ka 62 kuota pranimi, ku të gjitha programet e studimit kanë nga 110 kuota, ndërsa Filozofia dhe Sociologjia kanë nga 90 kuota.

Për Fakultetin e Ekonomisë, senati ka miratuar 1.178 kuota pranimi. Po ashtu, rritje të kuotave ka pasur edhe Fakulteti i Drejtësisë, pasi i janë miratuar 660 kuota, nga 600 që ishin vitin e shkuar. Ndërsa filiali i Sarandës këtë vit akademik do të pranojë 202 studentë të rinj. Një rritje të kuotave ka pësuar edhe Fakulteti i Histori- Filologjisë, pasi nga 490 kuota vitin e shkuar, këtë vit senati ka propozuar 630 kuota në total.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: