Ndërsa shtohen faktet për lëndimet e trurit mes lojtarëve të futbollit amerikan, hulumtime të reja çojnë në përfundimin se madje edhe tek futbolli evropian, që është më pak i dhunshëm, vihen re lëndime të tilla.

Goditja e topit me kokë është pjesë e futbollit, sportit më popullor në botë. John Hardy është profesor i shkencave neurologjike në “University College London”. Truri, thotë ai, është masë xhelatinoze si pudingu.

“Enët e gjakut janë pak më të forta. Po të bësh një rrotullim të shpejtë, ato veprojnë si fije metali në xhelatinë dhe shkaktojnë dëmtime.”

Në futbollin amerikan, përplasjet e forta janë të zakonshme ndërsa shtohen shqetësimet për pasoja tek truri i lojtarëve. Ende nuk është e qartë nëse goditja me kokë në futbollin evropian po ashtu përbën problem.

Profesori dhe kolegët e tij studiuan trurin e gjashtë futbollistëve me karrierë të gjatë, me probleme demence. Ata zbuluan në katër prej tyre një lloj dëmtimi të trurit të quajtur encefalopati kronike, traumatike, ose CTE. Kjo sëmundje është ndryshe nga Alzheimer, por profesori thotë se pasojat janë të ngjashme, shkruan VOA.

“Nëse pacienti ka dëmtime të vogla të trurit që kanë lidhje me evolimin e Alzheimerit dhe disa dëmtime të trurit që kanë lidhje me CTE, shtohet mundësia e shfaqjes së demencës”.

Futbolli është sporti më popullor në botë, me përfitime të njohura shëndetësore dhe sociale. Profesori thotë se studimet janë ende në fazën e hershme dhe nuk mjaftojnë për të penguar angazhimin e fëmijëve në këtë sport.

“Dua të theksoj se ata që kemi studiuar kanë qënë sportistë profesinistë që e kanë ushtruar sportin për 25 deri 30 vjet, ndoshta disa orë në ditë. Kjo ndryshon nga futbolli që luajnë fëmijët në fundjavë apo në shkollë”. Shoqata britanike e futbollit ka premtuar të mbështesë hulumtime të mëtejshme në këtë fushë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb