Tre studime të reja britanike tregojnë se vaksina kundër COVID-19-s e kompanive Pfizer-BioNTech, e cila merret me dy doza, zvogëlon transmetimin e virusit pas marrjes së një doze, veçanërisht tek personat që kishin rezultuar më parë pozitivë.

Një studim i kryer nga Spitali Universitar i Kembrixhit në Britani dhe i botuar të premten sugjeron që një dozë e vetme e vaksinës së Pfizer/BioNTech-ut mund të zvogëlojë me katër herë numrin e infeksioneve asimptomatike me COVID-19. Sipas studiuesve, kjo tregon se vaksina mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e transmetimit të virusit nga njerëzit që janë asimptomatikë si dhe mbrojtjen e të tjerëve nga sëmundja.

Eksperti kryesor në studim, specialisti i sëmundjeve infektive në Spitalin Universitar të Kembrixh, Dr. Mike Weekes, e cilësoi këtë “një lajm të mrekullueshëm”. Ai shtoi se “vaksina e Pfizer-it jo vetëm që siguron mbrojtje kundër sëmundjes që shkakton COVID-19, por gjithashtu ndihmon në parandalimin e infeksionit, duke ulur potencialin që virusi të transmetohet tek të tjerët”.

Studimi nuk është shqyrtuar nga ekspertë të tjerë të fushës, por studiuesit thonë se ata e publikuan studimin përpara rishikimit, për shkak të nevojës urgjente për të ndarë informacione në lidhje me pandeminë.

Dy studime të tjera, të botuara të enjten në revistën mjekësore britanike The Lancet, tregojnë se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer/BioNTech është e mjaftueshme për të mbrojtur nga infektimi sërish njerëzit që kanë kaluar COVID-19.

Studimet u kryen nga University College i Londrës, Agjencia e Shëndetit publik dhe Kolegji Mbretëror i Londrës.

Ndërkohë lidhur me vaksinën e Pfizer/BioNTech-ut, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave tha të enjten në mbrëmje se vaksina mund të mbahet në temperatura standarde ngrirjeje deri në dy javë, në vend të temperaturave ultra të ftohta të kërkuara fillimisht për vaksinën.

Prodhuesit e vaksinës kishin aplikuar për miratim javën e kaluar, pasi studimet e tyre dolën në përfundimin se vaksina ishte ende e sigurt dhe efektive kur ruhej në temperatura normale ngrirjeje. Vendimi do ta bëjë vaksinën shumë më të lehtë për t’u shpërndarë dhe më pak të kushtueshme për t’u ruajtur./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb