Po forcohet bindja se koronavirusi përhapet nga individë të infektuar, të cilët nuk kanë simptoma të qarta, gjë që ndërlikon betejën kundër pandemisë.

Një studim i shkencëtarëve në Singapor ka përllogaritur se rreth 10% e infeksioneve janë shkaktuar nga persona të prekur, por që nuk shfaqin simptoma.

Studiuesit zbuluan se këta individë shkaktonin përhapjen e infeksionit, duke u bërë burim i rreth 6% të rasteve në komunitet.

Në përgjigje të studimeve, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshoi përkufizimin e rrezikut të infektimit për amerikanët, duke deklaruar se çdo individ duhet të konsiderohet si bartës i virusit, edhe nëse nuk shfaq simptoma.

Ky fakt e bën epideminë e koronavirusit më të vështirë për t’u vënë nën kontroll se sa epidemi të tjera që kanë goditur sistemin e frymarrjes si SARS në fillim të viteve 2000.

Për pjesën më të madhe të personave të prekur, koronavirusi shkakton simptoma të lehta, si kollë dhe temperature që kalojnë pas dy-tre javësh. Për një numër më të vogël, sidomos për persona të moshuar apo individë me probleme të tjera shëndetësore, COVID-19 mund të sjellë komplikime të rënda deri në vdekje./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: