Për të trajtuar një sëmundje të caktuar, mënyra tradicionale që ndjekin mjekët janë ilaçet. Por, ndërsa teknologjia përparon, hulumtuesit po punojnë për të gjetur mënyra të reja të trajtimit të simptomave pa patur nevojën e përdorimit të medikamenteve. Një mundësi premtuese: përdorimi i grimcave të vogla magnetike për të trajtuar dhimbjen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee vizitoi një laborator në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos për të mësuar se si funksionon kjo metodë.

Studiuesit po kërkojnë mënyra të reja për të trajtuar dhimbjen, pa pasur nevojë të përdoren ilaçe. Një nga arsyet – ilaçet ndonjëherë mund të krijojnë më shumë probleme.

“Ato kanë efekte anësore. Një nga këto efekte anësore është krijimi i varësisë prej tyre”, thotë Dino Di Carlo, profesor i inxhinierisë biologjike në universitetin UCLA.

Kjo pika e errët është magnetike dhe mund të jetë përgjigja e problemit. Në këtë lëng, mund të shihni se çfarë ndodh kur një magnet vendoset poshtë. Pjesa e errët është e përbërë nga grimca të vogla magnetike që mund të ndërveprojnë me proteina të qelizave për të lehtësuar dhimbjen. Këto grimca magnetike do të futeshin në këtë material të ngjashëm me xhelatinën, që gjendet natyrshëm në tru dhe palcën kurrizore dhe do të aplikohet në atë pjesë të trupit që ka dhimbje.

“Në se keni një plagë, mund të vendosni këtë xhel që ka brenda disa prej këtyre grimcave magnetike. Këto grimca të oksidit të hekurit ndihmojnë në shërimin e plagës dhe në të njëjtën kohë, duke patur një copë magnetike mbi plagën krijohet një lloj force”, shpjegon Dino Di Carlo.

Kur një copë magnetike e jashtme vendoset mbi vendin e dhimbjes, ajo ndërvepron me grimcat magnetike në xhel – duke krijuar një efekt shtytës dhe tërheqës.

“Ndërsa aplikojmë forcë mbi këto qeliza, numri i proteinave të ndjeshmërisë së dhimbjes zvogëlohet – që do të thotë se do të kesh më pak ndjeshmëri ndaj sinjalit të dhimbjes”, thotë profesor Di Carlo.

“Në laborator ne mund ta përdorim këtë material për të pakësuar dhimbjen”, thotë student Alireza Sohrabi.

Por hulumtuesit thonë se ka nevojë për prova të tjera para se trajtimi të përdoret tek njerëzit.
“Kjo xhelatinë prodhohet tani në laborator. Ne duhet të jemi në gjendje ta injektojmë atë”, thotë student Alireza Sohrabi, shkruan VOA.

Ndërsa hulumtimi tregon shpresë, inxhinierët pranojnë se duhet të kuptojnë më mirë biologjinë e grimcave magnetike – duke përfshirë efektet e mundshme anësore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb