Studiuesit evropianë kanë arritur në përfundim, se një re radioaktive që përfshiu Evropën në vitin 2017, ka të ngjarë të kishte origjinën në Rusi, më gjasë nga një impiant, që ishte vendi i një katastrofe bërthamore.

Meteorologët dhe studiuesit kishin zbuluar shpërthimin e grimcave radioaktive, në tetor të vitit 2017, dhe kanë bërë përpjekje për të përcaktuar origjinën e tyre.
Në atë kohë, provat treguan se radioaktiviteti vinte nga Rusia, por autoritetet mohuan përgjegjësinë. Grimcat radioaktive ishin të padëmshme për shëndetin e njeriut, por të dukshme nga pajisjet e monitorimit.

Në një shkrim të botuar më 26 korrik në revistën PNAS, një ekip i studiuesve erdhën në përfundim, se origjina ishte një “aksident bërthamor i madh, por i padeklaruar” në një objekt të ripërpunimit bërthamor që ndodhet në rajonin e Uraleve në Rusi.

Studiuesit, gjithashtu thanë se, grimcat e quajtura “izotopet e rutheniumit” nuk ishin zbuluar në atmosferën botërore, që nga katastrofa e Çernobilit në vitin 1986.
Ata gjithashtu njoftuan se, përderisa kërcënimi për shëndetin e njeriut në Evropë ishte në nivele minimale, incidenti mund të ketë pasur pasoja më serioze më afër vendndodhjes.

Autoritetet ruse ende nuk janë përgjigjur lidhur me këto përfundime të studiuesve. Ndërmarrja bërthamore shtetërore Rosatom nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara lidhur me këtë çështje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb