Autoritetet amerikane kanë urdhëruar evakuime në Kaliforninë veriore pasi rrezikohen nga një stuhi e madhe që pritet të godasë bregdetin. Në këto zona ka pasur problematika për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave. Guvernatori i Kalifornisë ka shpallur gjendjen e emergjencës për stuhinë, e dyta që përmbyt shtetin brenda një jave. Parashikuesit thonë se ajo do të formohet në një ‘ciklon bombë’, një lloj stuhie shpërthyese dhe ndoshta do të vrasë njerëz.

Kalifornia Veriore pritet të goditet më rëndë. Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) ka lëshuar një paralajmërim për përmbytjet dhe erëra të forta për të gjithë zonën e Gjirit në Kaliforninë veriore, duke thënë se erërat priten të rrëzojnë pemët dhe të shkaktojnë ndërprerje të energjisë.

“Për ta thënë thjesht, ky ka të ngjarë të jetë një nga sistemet më me ndikim në një shkallë të gjerë që ky meteorolog ka parë për një kohë të gjatë,” tha parashikuesi i NWS për rajonin në një këshillë për motin. BBC, duke iu referuar parashikimeve të sinoptikanëve se, shkruan se stuhia mund të shkaktojë përmbytje, shembje të dherave, rrëzim të pemëve, ndërprerje të energjisë si dhe nuk përjashtohet humbja e jetëve njerëzore. Një urdhër evakuimi është lëshuar në kontenë Santa Cruz, në jug të San Franciskos, për shkak të “probabilitetit të lartë” që disa lagje të bëhen të paarritshme për shkak të përmbytjeve.

Më në jug, në kontenë Santa Barbara, zyrtarët urdhëruan gjithashtu banorët që jetonin pranë zonave të shpyllëzuara për shkak të zjarreve masive gjatë verës, që të largoheshin nga banesat. Urdhri prek po ashtu dhe komunitetin e pasur të Montecito, shtëpinë e Dukës dhe Dukeshës së Sussex, Harry dhe Meghan dhe Oprah Winfrey. Mësimet janë anuluar për të enjten në rrethet shkollore në të gjithë Kaliforninë veriore, përfshirë për 8,000 nxënës të regjistruar në shkollat publike të San Franciskos.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: