Stuhia dhe erërat e forta të ditës së djeshme kanë hedhur në shesh serat e fshatit Samaticë në bashkinë Dimal. Shumica e serave janë shembur duke tmerruar edhe fermerët që në ato momente ndodheshin brenda tyre duke mbjellë fidanët e rinj. Siç edhe duket nga pamjet filmike, serat janë shkatërruar dhe dëmet që janë shkaktuar janë kolosale.

Stuhia ka shkatërruar të gjithë strukturën e serave, që nga bandierat, harqet, plastmaset etj, pa llogaritur edhe të mbjellat dhe fidanët që ndodheshin brenda serave. Fermerët pohojnë se dëmet që u janë shkaktuar janë kolosale. Ata deklarojnë se kjo nuk është hera e parë që kanë pësuar dëme në sera si pasojë e fatkeqësive natyrore, por asnjëherë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga shteti.

“Kur filloi era dhe stuhia ne ishim brenda serave dhe u tmerruam e dolëm me vrap jashtë. Në vetëm pak minuta serat u shembën dhe fidanët e të mbjellat u shkatërruar. Njoftuar bashkinë Dimal për ngjarjen por deri më tani nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i bashkisë për të verifikuar dëmet e shkaktuara, të vetmit që keni ardhur jeni ju gazetarët. Ne, pas shumë viteve emigrim, erdhëm dhe investuam në vendin tonë por të gjithë tani jemi të falimentuar. Shteti nuk ka menduar asnjëherë të na dëmshpërblejë pas përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga stuhia e breshëri ndër vite. Ne jemi të gjithë me kredi e borxhe dhe kjo situatë e rënduar po na detyron të largohemi nga Shqipëria dhe të emigrojmë sërish. I bëjmë apel shtetit dhe Ministrisë së Bujqësisë të kthejë sytë nga fermerët dhe të na ndihmojë pasi ne sot jemi pa lekë për bukë”, -shprehen fermerët e fshatit Samaticë në bashkinë Dimal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: