Sipas një raporti, stuhitë dhe përmbytjet që goditën Evropën gjatë vitit të kaluar prekën rreth 413,000 persona. Ndotja e shkaktuar nga djegia e karburanteve fosile kontribuoi që kontinenti të përjetonte vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.
Pamje tronditëse të automjeteve të bllokuara në rrugë të përmbytura dhe lumenj të fryrë që rrënuan ura, u raportuan në disa vende të kontinentit gjatë vitit 2024. Dy ngjarjet më të rënda ndodhën në Evropën Qendrore në muajin shtator dhe në lindje të Spanjës në tetor, ku humbën jetën mbi 250 individë nga gjithsej 335 viktimat e përmbytjeve në të gjithë kontinentin gjatë vitit.
Në të njëjtën kohë, Evropa Juglindore u përball me një valë rekord të të nxehtit në korrik 2024. Temperaturat e larta që përfshinë pjesën më të madhe të kontinentit nxitën shpërthimin e zjarreve të fuqishme, të cilat preken 42,000 banorë. Sipas raportit, rreth 25% e territorit të djegur në Evropë gjatë vitit të kaluar ishte rezultat i flakëve të mëdha që përfshinë Portugalinë në shtator, ku brenda vetëm një jave u dogjën afro 110,000 hektarë tokë.