Të paktën 36 persona kanë humbur jetën pasi një stuhi goditi brigjet braziliane. Kështu pohuan autoritetet në shtetin brazilian të São Paulo-s. Mësohet se në këtë vend ka pasur rrëshqitje dhe përmbytje të mëdha, duke detyruar disa qytete të anulojnë festimet vjetore të karnavaleve.

Siç transmetojnë mediat e huaja, shumë lagje ndodhën nën ujë, autostrada të përmbytura dhe rrënoja me mbeturina.
Ekipet e shpëtimit vijojnë ‘luftën’ për të shpëtuar persona të bllokuar apo dhe rrugë që janë izoluar. Më shumë se 600 mm shi ra në disa zona të dielën, dyfishi i sasisë së pritur për muajin. “Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nuk po arrijnë dot në disa vende, është një situatë kaotike,” tha Felipe Augusto, kryebashkiaku i qytetit të goditur rëndë të São Sebastião.

“Ne nuk e kemi vlerësuar ende shkallën e dëmit, por po përpiqemi që të shpëtojmë njerëzit”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se dhjetra persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa 50 shtëpi janë shkatërruar, duke shtuar se situata është kritike. Qeveria raportoi të paktën 35 vdekje në São Sebastião dhe kryebashkiaku i Ubatuba tha se një vajzë e re ishte vrarë në qytetin e tij. Ndërkohë, qindra njerëz janë zhvendosur dhe evakuuar. “Fatkeqësisht, do të kemi shumë më shumë vdekje,” tha një zyrtar i mbrojtjes civile për gazetën Folha de São Paulo.

Ndërkohë, zyrtarët thonë se 228 persona të tjerë kanë mbetur të pastrehë, dhe 338 të tjerë të evakuuar nga rajonet bregdetare në veri të São Paulo. Duke marrë shkas nga situata në fjalë, shteti shpalli gjendje fatkeqësie 180-ditore në 6 qytete: São Sebastião, Caraguatatuba, Ilhabela, Ubatuba, Guarujá dhe Bertioga. Guvernatori i shtetit Tarcísio de Freitas tha se kishte lëshuar një fond prej 1.5 milionë dollarëve për të ndihmuar në lehtësimin e fatkeqësisë.

Festimeve e karnavaleve u anuluan përgjatë vijës bregdetare veriore, që është një destinacion popullor për turistët e pasur që kërkojnë të shmangin festimet buzë rrugëve në qytetet e mëdha. Festivali zakonisht zgjat pesë ditë në prag të festës së krishterë të Kreshmës dhe festimet shumëngjyrëshe janë sinonim i Brazilit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: