Nga inati i virusit dhe thjesht për qejfin e vet dhe të të dashurit të saj të zemrës, Hueyda El Saied nuk është si të gjitha nuset e vitit 2020 që i kanë shtyrë planet për më vonë. Në këto ditë të fundit të dhjetorit, ndërsa e gjithë bota shkonte drejt mbylljes, kur kufijtë mes shteteve që janë bërë sërish të pakapërcyeshëm e kanë lënë dhe pa njerëzit më të afërt, ajo sërish nuk ka ndërruar planet, por po e mbyll këtë vit në mënyrën më të bukur të mundshme, si nuse. Në një rrëfim ekskluziv për revistën “WHO” ajo i tregon gjithë detajet e dasmës, që si në një vrapim me pengesa përmbysën çdo plan, e megjithatë u bë dhe ajo është po aq e lumtur sa do të kishte qenë dhe po të kishte bërë një aheng të madh. Sepse ka dashurinë, ka një partner që e ka bërë shumë të lumtur, ka një djalë të vogël dhe të bukur që i ka thërritur Thierryt – baba në mënyrën më të natyrshme të mundur – por ka dhe shpresa për një festë të madhe alla shqiptare me të gjithë miqtë e të dashurit, e në fund edhe një muaj mjalti. Sepse ky dreq virusi do vijë dita e do zhduket, por ndërkohë nuk kishte pse ta bënte Hueydën tonë të hiqte dorë e të mbetej pa dasmë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Hueyda na trego pak si ishte kjo dasma jote e fshehtë? Fustani? Lulet? Unazat? Makina?

Për vetë konteksin mondial aktual që po përjetojmë, ishte një dasmë minimaliste, por e mbushur plot sharm, emocione dhe gëzim. Fustanet i kisha blerë në Paris njëzet e katër orë para se të mbylleshin dyqanet e të fillonte karantina e dytë për francezet. Buqetën e luleve e bleva këtu në Luksemburg, por s’e mbajta kurrë në dorë sepse e harrova në shtëpi (qesh). Unazat i kishim zgjedhur prej kohësh tek një bizhutier i njohur, por ngaqë ndryshuam datën e martesës për 18 dhjetor në unazat tona është shënuar data 11 Dhjetor. I vetmi luks material që patëm mundësi të shijonim ishte limuzina që erdhi na mori në shtëpi për të na shoqëruar në Bashki e pasi thamë “PO”, sëbashku me dy mikeshat tona shijuam shampanjën dhe muzikën duke bërë xhiro nëpër Luksemburg.

Po dhëndri si ishte? Se Gabrieli ishte yll, e pamë të parin, shoqëruesi më i mirë i mundshëm.

Dhëndri ishte si gjithnjë klas. Në fakt ne kishim vendosur t’i mbanim sekret veshjet tona të ceremonisë nga njëri-tjetri. Sigurisht ia kishim treguar Gabrielit, i cili na i kishte aprovuar (qesh). Kështu që ishte një suprizë e bukur të shihnim njëri-tjerin para se të iknim në Bashki.

Dasmë pa të ftuar? Shumica i shtynë dasmat për pas pandemisë. Po ti, pse nuk prisje dot?

Sepse kisha një jetë që po prisja të martohesha me Thierryn (qesh).

Megjithatë pavarësisht dëshirës sime na u desh të ndryshonim disa herë planet dhe datën e dasmës. Së pari kishim prenotuar sallën e një prej restoranteve tona të preferuara ku kishim ftuar maksimunin e lejuar të familjarëve dhe miqve tanë, por dy javë para ditës së martesës qeveria luksemburgeze vendosi të mbyllë restorantet dhe baret. Pas ketij lajmi vendosëm që të martoheshim vetëm me familjarët tanë e të organizonim një koktejl në shtëpinë tonë, por një javë më pas u sëmura me Covid-19, kështu që na u desh të ndryshonim datën dhe t’i thonim familjarëve tanë të mos vinin.

Çfarë do kishe bërë ndryshe, si do ishte dasma, nëse do ishe martuar në një kohë normale pa viruse nëpër këmbë?

Do të ishim martuar në një ishull paradiziak me familjarët dhe miqtë tanë. Megjithatë tashmë që arritëm të martoheshim me gjithë pengesat që ndeshëm them që në fund të fundit për ne më e rëndësishme ishte që t’i thonim “PO” njëri-tjetrit kur dëshironim.

Megjithatë, mes vështirësive për të udhëtuar e rregullave “prej lufte” a kishe pranë njerëzit që do?

Fatkeqësisht jo të gjithë ata që dëshironim, por falë Zotit kisha pranë dy mikeshat e mia që jetojnë në Luksemburg – Enkelan dhe Fatoun, të cilat na shoqëruan në Bashki, e më pas festuam në shtëpi sëbashku me disa miq të tjerë.

Kujt ia ndjeve mungesën?

Më munguan gjyshja, tezja dhe prindërit. Një javë para martesës qeveria hollandeze mbylli kufijtë, kështu që ime më, e cila jeton aty s’mundi të udhëtonte. Po ashtu ndjeva mungesën e miqve e mi në Tiranë si: Albana, Ini, Arjani, Sava dhe Xhani apo Catherine, Fabrice, Armelle dhe Ghozlaine në Paris, të cilët i kosideroj si familja që kam zgjedhur te kem.

Ka ca çifte që pasi martohen me partnerin e tyre të huaj, nuk e lënë pa e bërë edhe një dasmë alla shqiptarçe, për zhurmën apo për lezetin ndryshe të dasmave tona, me orkestër, me fis e me farë, me kërcime e shami beqari. Keni ndonjë plan të tillë ju, apo kaq ishte?

Nëse nuk do ta organizojmë një gjë të tillë, familjarët dhe miqtë tanë do të na mbajnë mëri (qesh), kështu që do të bëjmë patjetër një dasmë në Shqipëri. Duam të festojmë të gjithë shqiptarë, francezë e luksemburgezë në Jug të Shqipërisë.

Kur e more propozimin? Ishte si në filma?

Ishte para një viti dhe mjaft romantik. Ai më çoi në vendin tim të preferuar në Luksemburg, u ul në gjunjë dhe e bëri propozimin, moment i cili u memorizua nga një foto e bërë nga Gabrieli.

Çfarë tha Gabrieli kur pa mamin nuse?

Që isha bërë si një princeshë.

Dhe si u soll ai gjatë ceremonisë, meqë kishte edhe një rol shumë të rëndësishëm?

Gabrieli ishte perfekt, pasi dëgjoi “PO”-në tonë, na solli unazat dhe tha: “Ju prezantoj Zonjën dhe Zotin Grosjean”.

Kemi parë në “Instagram” që djali yt dhe partneri duken mjaft të lidhur. Eshtë fat, sepse ke gjetur njeriun e duhur? Apo ke punuar ti për të pasur këtë marrëdhënie?

Lidhja e Gabrielit dhe Thierryt është krijuar në mënyrën më të natyrëshme. Është vetë Gabrieli i cili filloi ta thërriste Thierryn babi. Jam e lumtur kur shoh që e duan njëri-tjetrin aq shumë, aq sa ndonjëherë bëhem dhe xheloze (qesh).

Me çfarë merret partneri (tashmë bashkëshorti) yt?

Thierry është drejtues i një shoqërie investimesh japoneze, e cila manaxhon disa fonde financiare këtu në Luksemburg.

A e ndryshove ligjërisht mbiemrin? Apo do të jesh El Saied?

S’e imagjinoj dot veten pa mbiemrin tim të lindjes, kështu që do t’i shtoj El Saied mbiemrin Grosjean.

Gjithsesi ju bashkëjetonit. Çfarë ndryson martesa në një çift që bashkëjeton?

Këtë pyetje i bëra dhe unë vetes para se t’i thoja “PO” Thyerryt, në fakt asgjë s’ka ndryshuar, ah ndoshta jam akoma më e gëzuar.

Po tani, si do t’ia bëni për një muaj mjalti?

Ndoshta ikim disa ditë në Emiratet e Bashkuara Arabe, por për muajin e mjaltit do të presim sa të mbarojë pandemia e të hapen kufijtë.

Dhe nëse udhëtimi i mjaltit shpresojmë që të vijë nga vera, do jeni vetëm ju të dy, apo ku ka festë pa Gabrielin?

Si Thierry dhe unë, nuk e imagjinojmë dot të udhetojmë larg pa Gabrielin. Dëshirojmë që Gabrieli të udhëtojë, të shohë e të zbulojë sa më shumë vende. Por Gabrielin e ka marr malli shumë dhe për Opën (tezen time) dhe nonën (stërgjyshen e tij) kështu që do të vendosë vetë ku do të shkojë, ose do t’i bëjë të dyja udhëtimet në periudha të ndryshme.

Gjithmonë ke qenë e hapur me median për jetën private. Ke ndarë si sukseset (lumturinë e lidhjes) ashtu dhe dështimet (nëse mund të quhen kështu ndarjet). A je penduar ndonjëherë? Ka pasur çaste që mund të kesh thënë ‘pse dreqin jam kaq e sinqertë’?

Dhe pse mendoj që jo çdo gjë është për t’u treguar, e rëndësishme për mua është të jem vetja ime. S’jam perfekte, sukseset, gëzimet dhe dështimet e mia përveçse më përkasin janë të mbushura me punë, mund, lot, buzëqeshje dhe krenari sesi ia kam dalë.

Si ka qenë 2020 për ty? Do e mbash mend vetëm si vitin e martesës, apo ka shumë më shumë?

2020-ta po mbyllet më bukur sesa ka filluar, do ta mbaj mend si vitin e spovovave. Zoti këtë vit kishte vendosur të më vinte para disa sfidave të vështira, por dhe më gëzoi teksa sëbashku me Thierryn i thamë “PO” njëri-tjetrit.

Tani të të bëjmë një pyetje që nuk do që ta dëgjojë asnjë e sapomartuar: keni plan për bebe?

Gabrieli sapo na kërkoi një vëlla dhe unë sapo iu pergjigja që nuk mund të bëja një femijë më te bukur, më të zgjuar dhe më të talentuar sesa ai (qesh).
/RevistaWHO.Com

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb