Një histori e denjë për filma. Kjo që ka ndodhur me lojtarin e Vllaznisë, Eraldo Çinari, është një ngjarje e pazakontë për futbollin shqiptar. Një histori e rrallë ku sigurisht që flitet për mashtrim, dyshime, falsifikim dhe llogari bankare jashtë Shqipërisë.

Administratori i ri i Vllaznisë, Suad Lici, zbuloi të gjithë këtë histori dhe e denoncoi te kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Kjo e fundit pretendon se i është falsifikuar firma dhe ka bërë kallëzim në Prokurori që të hetojë në lidhje me çështjen. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” është administratori i klubit, Suad Lici, i cili tregon gjithçka në lidhje me këtë ngjarje të rrallë.

Ai e konsideron si një histori të denjë për filma, ndërsa thotë se do t’i shkojnë deri në fund. Shpreh keqardhje vetëm për karrierën e lojtarit, pasi sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse një marrëveshje të re me Deportivo Alavesh që të paguajë 100 mijë euro për kartonin e lojtarit. “Jemi të gatshëm që të negociojmë duke parë kontratën që ka lojtari me Vllazninë. As unë dhe asnjë tjetër nuk mund të hyjmë në burg për çështje parash. Ne kërkojmë vetëm që të zbatojmë rregullat e klubit dhe të shtetit. Me sa kam informacion, kryetarja e Bashkisë e ka dërguar çështjen për ndjekje penale dhe do ta hetojë Prokuroria”, thotë ndër të tjera Çinari.

“Është një histori si nëpër filma. Unë veproj duke u bazuar te shkresat. Më kanë bërë një kërkesë për lejen e kalimit për lojtarin Eraldo Çinari, ku ndër to ishte edhe marrëveshja që dikur klubi Vllaznia kishte rënë dakord me Alavesh. Sapo kam parë firmën e kryetares së Bashkisë, i kam çuar shkresë përcjellëse dhe më ka kthyer përgjigje zyrtare që nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshje me klubin spanjoll. Unë menjëherë i kam vendosur në dijeni spanjollët. Ata pretendojnë se u ka shkuar gjithçka nga e-mailet e klubit. Por, dokumente zyrtare janë vetëm ato që kam komunikuar unë me klubin spanjoll dhe kroat që i kam bërë të ditur çdo situatë në detaje. U kam bërë të ditur se lojtari ka klauzolë 100 mijë euro”, tha ai.
Burimi:Panorama.Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb