Sipas një komiteti lokal të mjekëve, numri i të vdekurve në Sudan nga protestat kundër marrjes së kontrollit të vendit nga ushtria është rritur në 24.

Komiteti qendror i pavarur i mjekëve njoftoi vdekjen e fundit të protestuesit “që më 13 nëntor u qëllua në kokë nga forcat e këshillit ushtarak të grusht shtetit dhe ishte nën kujdesin e spitalit Al-Waad”.

Këshilli ushtarak në pushtet i Sudanit më 25 tetor shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shpërndau këshillin dhe qeverinë sovrane kalimtare, disa orë pasi arrestoi kryeministrin Abdalla Hamdok dhe ministrat në qeverinë e tij civile.

Ky këshill po ashtu pezulloi disa dispozita të dokumentit kushtetues që planifikonte tranzicionin politik.

Para marrjes së kontrollit nga ushtria, Sudani administrohej nga një këshill sovran zyrtarësh ushtarak dhe civilë, i cili mbikëqyrte periudhën kalimtare deri në zgjedhjet e planifikuara për në vitin 2023 në kuadër të një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit “Forca për liri dhe ndryshim”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb