SUEDI- Një Gjykatë në Suedi e ka dënuar me tetëmbëdhjetë vjet burg një qytetar nga Uzbekistani, që kishte bërë atentat mbi një imam uzbek në Suedi.

Gjykata në qytetin suedez Ostersund e ka shpallur fajtor 37-vjeçarin, Yury Zhukovsky, për sulm ndaj imamit të shquar uzbek, Obidkhon Qori Nazarov, në vitin 2012. Nazarov, i cili është një kritik i presidentit uzbek Islam Karimov, ishte në gjendje kome pasi që ishte qëlluar së paku tri herë në qytetin verior të Suedisë, Stromsund.

Të afërmit e tij thanë se Nazarov vuan nga dëmtimi i trurit. Gjykata nuk tha se kush e kishte urdhëruar vrasjen e Nazarov, por tha ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Zhukovsky kishte vepruar ”në emër të dikujt nga Rusia”. Prokurori suedez, Krister Peterrson i kishte thënë më herët shërbimit uzbek të Radios Evropa e Lirë, se ka dëshmi që vrasja e Nazarov ishte urdhëruar nga qeveria uzbeke.

Prokurori ka kërkuar burgim të përjetshëm për Zhukovsky. Djali i Obid Nazarov, Doudkhon Nazarov, pohoi për Radion Evropa e Lirë, se ai është i kënaqur me vendimin e gjykatës. Zhukovsky, më 25 gusht të këtij viti është ekstraduar nga Rusia në Suedi. Nazarov, i cili ishte njëru nga imamët më të njohur në Azinë Qendrore në vitet e 90-ta, kishte marrë azil në Suedi në vitin 2006.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: