Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, ka bërë të ditur se të paktën pesë gra janë vrarë nga burrat në javët e fundit në vend.

“Burrat që i ekspozojnë gratë ndaj këtyre krimeve të tmerrshme duhet të dënohen, por dhuna e burrave ndaj grave nuk duhet t’u nënshtrohet rasteve individuale. Është një problem shoqëror që duhet të luftohet me fuqinë kolektive të shoqërisë si një e tërë”, shkroi kryeministri Lofven në rrjetet sociale.

Në vitin 2020, njoftoi kryeministri suedez, pothuajse 9 mijë gra paraqitën raporte të dhunës nga burrat me të cilët kishin një marrëdhënie të ngushtë.

Në një postim, ai theksoi se që dhuna e burrave ndaj grave të marrë fund duhet që burrat të ndryshojnë.

“Veçanërisht ne, burrat, duhet të shënojmë dhe të themi jo. Ne duhet të flasim me burrat për atë që është burrëri e vërtetë, që nuk është rrahja apo ngacmimi. Asnjëherë mos pranoni se dikush përdor dhunë ose kërcënime të dhunës për të fituar pushtet mbi të dashurit e tyre”, tha ai.

Lofven shtoi se qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të ndaluar dhunën ndaj grave.

Ndërkaq, Annie Loof, udhëheqëse e Partisë së Qendrës, në rrjetet sociale po ashtu dënoi dhunën ndaj grave.

“Ku është reagimi nga shoqëria, nga kolegët e mi politikë? Ku janë komisionet, ato të ashpra? Sinjali i përbashkët? Unë jam gati të ulem në çdo kohë në nivelin e udhëheqjes së partisë për të marrë masa kundër dhunës së burrave ndaj grave”, shkroi ajo.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb