SUEDI- Parlamenti i Suedisë ka rrëzuar kryeministrin Stefan Lofven, pasi deputetët votuan pro mocionit të mosbesimit ndaj tij.

Stefan Lofven do të duhet të lërë postin, pasi demokratët Suedezë (SD), parti antiemigracion, mbështetën mocionin e mosbesimit ndaj tij, vetëm pak javë pas zgjedhjeve të përgjithshme që prodhuan një Parlament të cunguar.

Në votimin dramatik, 204 deputetë votuan kundër Lofven, ndërsa 142 e mbështetën atë. Tani do të propozohet një udhëheqës i ri, një proces ky që do të kërkojë javë të tëra. Lofven pritet të qëndrojë kryeministër në detyrë derisa zëvendësuesi i tij të përcaktohet.

Lofven, kreu i socialdemokratëve të qendrës së majtë, erdhi në pushtet në vitin 2014. Aleanca e tij e qendrës së majtë fitoi 144 vende në zgjedhjet e këtij muaji, një më shumë sesa opozita e qendrës së djathtë.

Megjithatë, asnjë nga blloqet kryesore nuk ka ndër mend të qeverisë me nacionalistët demokratë, partia e tretë më e madhe në Parlamentin e ri. Por, detyra e kryeministrit mund t’i shkojë Ulf Kristersson, udhëheqës i të moderuarve.

Kryetari i ri i Parlamentit, Andreas Norlen është po ashtu pjesëtar i të moderuarve, i konfirmuar në pozicion të hënën, me mbështetjen e Demokratëve Suedezë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: