Suedia, Norvegjia dhe Danimarka do të vazhdojnë me pezullimin e tyre të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ndërsa shqyrtojnë konkluzionet e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) se vaksina është e sigurt dhe efektive.

Të tre vendet nordike do të vazhdojnë shqyrtimin e vendimit që publikoi EMA se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet e saj të rralla.

Agjencia e Shëndetit Publik e Suedisë tha se është duke shqyrtuar konkluzionet e EMA-s në konsultim me Agjencinë e Produkteve Mjekësore të vendit.

Disa raste të mpiksjes së rëndë të gjakut dhe çrregullimeve të rënda të mpiksjes, mpiksje gjaku dhe gjakderdhje të kombinuara, janë raportuar në vend dhe janë nën hetim nga Agjencia e Produkteve Mjekësore.

“Është shumë e trishtueshme që të rinjtë e shëndetshëm janë sëmur kaq rëndë dhe se gjithashtu kemi parë vdekje pas vaksinimit. Këto raste janë të rralla, por shumë serioze”, tha në një deklaratë Audun Haga, drejtori i Agjencisë Norvegjeze të Barnave.

Haga shtoi se agjencia “beson se nuk mund të përjashtojmë që këto raste mund të kenë lidhje me vaksinën AstraZeneca”.

Agjencia Daneze e Barnave përmes një deklarate të ushtrueses së detyrës së drejtoreshës të Farmakovigjilencës, Tanja Erichsen, tha se autoritetet shëndetësore vendosën të hetonin nëse këto raste të rralla, por serioze mund të ishin një reagim negativ nga vaksina AstraZeneca.

“Simptomat janë të pazakonta dhe ato shfaqen menjëherë pas vaksinimeve. Detyra jonë është të reagojmë ndaj rasteve të tilla. E rëndësishme është që ne së bashku me EMA-n dhe autoritetet e tjera rregullatore të ilaçeve të kemi kohën e nevojshme për një vlerësim të tërësishëm të këtyre raporteve”, ka shtuar ajo.

Nga ana tjetër, Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja njoftuan se do të rifillojnë dhënien e vaksinës AstraZeneca pas vendimit të EMA-s.

EMA pohoi se përdorimi i vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 është i sigurt. “Kjo është një vaksinë e sigurt dhe efektive, përfitimet e saj në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 me rreziqet që lidhen me vdekjen dhe shtrimin në spital tejkalojnë rreziqet e mundshme”, deklaroi drejtorjesha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke.

“Gjatë vaksinimit të miliona njerëzve, është e pashmangshme që të ndodhin incidente të rralla”, deklaroi ajo gjatë një konference shtypi.

Megjithatë, drejtuesja e EMA-s paralajmëroi se një lidhje midis rasteve të raportuara dhe vaksinës nuk mund të përjashtohej përfundimisht, kështu që agjencia do të kryejë hetime të mëtejshme dhe rekomandon për ngritjen e vetëdijes lidhur me rreziqet e mundshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb