TIRANË

Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se ka pasur mundësi t’i bëjë sugjerimet e tij kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai tha se është e domosdoshme që të ndërtohet një axhendë pozitive në raportet mes Shqipërisë e Kosovës, mbi frymën edhe të partneritetit të vendosur në dokumentin e Prizrenit në janar 2014. Ai foli dhe për “Open Balkan” dhe procesin e integrimit.

Çfarë do i sugjeronit Ramës e si do e këshillonit Kurtin për të gjetur një balancë në situatën e raporteve të tensionuara aktualisht?

Qoftë kryeministrit Rama, por edhe kryeministrit Kurti unë kam pasur mundësi të dyve në raporte të ndryshme, sepse njëri ka qenë e mbetet kreu i PS, tjetri një mik i çmuar, kam pasur mundësi të jap sugjerimet e mia bazuar në eksperiencë. Është e domosdoshme që të ndërtohet një axhendë pozitive në raportet mes Shqipërisë e Kosovës, mbi frymën edhe të partneritetit të vendosur në dokumentin e Prizrenit në janar 2014. Të ndërtohet mbi atë eksperiencë pozitive, por të shihet me seriozitet gama e çështjeve në të cilat raporti Shqipëri Kosovë ende nuk ka prodhuar ato rezultatet e duhura.

A e forcon kjo situatë Serbinë?
Që nga shembja e komunizmit kemi evidentuar tre etapa në raportet mes Shqipërisë e Kosovës. Në të parën, e shihnim Kosovën me një xhelozi pozitive.
Etapa e dytë pas çlirimit të Kosovës në 1999, ku shqiptarët e shohin Kosovën edhe si një lloj tregu për t’u zhvilluar ekonomikisht.

Etapa e tretë, nis me një lloj nevoje për ta fuqizuar subjektivitetin juridiko ndërkombëtar apo statusin e Kosovës shtet të pavarur. Në këtë etapë ka pasur edhe një lloj frenimi apo përplasje që nuk ka lindur as me qeverinë Rama as me qeverinë Kurti, ka qenë permanent është karakteristikë e kësaj etape, ku Kosova ka nevojë në disa raste për të forcuar identitetin e saj, nganjëherë mendon që ky identitet mund t’i vihet në  pikëpyetje nga qëndrimet që mund të mbajë Shqipëria. Tani është koha për të ecur në një drejtim tjetër. Duhet thelluar aksi Tiranë – Prishtinë në çdo nivel duhet të dilet nga llogoret e së shkuarës e duhet të jemi ofertues në raport me të tjerë.

Cili është mendimi juaj për “Open Balkan”?
Integrimi europian për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë sado që procesi i integrimit europian është ndalur. Të paktën që në 2018 Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj. Është për të ardhur keq, që një grup i vogël por i zëshëm, i konsiderueshëm në peshë i vendeve anëtare të BE nuk duan që në deklaratën finale të samitit të ketë referenca për procesin e zgjerimit.

Kur u lancua procesi i Berlinit në 2014, ishte që të mos konsiderohej si një alternativë përkundrejt anëtarësimit të proceseve tona në BE sot 7 vite më pas, pavarësisht arritjeve, e vendosmërisë së Merkel sërish mund të themi që procesi i Berlinit nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

Ballkani i hapur është një ide dhe ende nuk e kemi parë të materializohet në një projekt, që më pas shoqërohet me instrumente politik e financiar. Nismëtarët flasin për gjithëpërfshirje dhe jo për një fragmentim të mëtejshëm të rajonit.

Unë them se 3 janë mënyrat për t’ju qasur situatës sot për sot që kemi në rajon, e para të pranojmë status quo-në, një lloj konflikti të ngrirë në rajon. E dyta, të evokojmë të glorifikojmë të shkuarën dhe t’i kthehemi ideve të rrezikshme të së shkuarës. E treta, të eksplorojmë shtigje që nuk i kemi bërë deri më sot, por t’i eksplorojmë me vetëdije, të jemi sa më esëll.

E kuptoj që shqetësim është roli i Serbisë e ku qëndron Kosova. Ka fusha ku shqiptarët e serbët janë të destinuar të bashkëpunojnë, elementë që kanë të bëjnë me sigurinë, energjinë, tregtinë, me ndërlidhshmërinë e rajonit. Ka fusha do shqiptarët dhe serbët do të konkurrojnë dhe duhet të konkurrojnë, ka fusha ku mund të konfrontohemi politikisht, ekonomikisht, jo ushtarakisht.

Ditën që do të futemi në BE, Shqipëria avenirin e ka shumë më tepër me Mesdheun me detin Adriatik me detin Jon me Italinë, Greqinë Kroacinë etj.se sa me pjesën tjetër të Ballkanit. Ndaj detyra jonë është që ta tërheqim sa më shumë lojën apo shikimin drejt këtij këndi që ka të bëjë me Mesdheun dhe Europën.

A bini ju dakord me kritikat e kryeministrit Rama ndaj BE-së për negociatat?
Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet për të nisur këtë proces që në 2018. Nëse BE kërkon që të jetë një aktor i rëndësishëm gjeopolitik, betejën duhet ta fitojë në oborrin e saj. Oborri i BE-së janë vendet tona që janë pjesë e Ballkanit perëndimor apo Europës Juglindore. Retorika është çështje tjetër.

Të martën në Shqipëri mbërrin presidentja e KE, Von der Leyen. Çfarë prisni nga kjo vizitë?
Një angazhim më të madh sa i përket planit ekonomik të investimeve që BE ka për rajonin tonë. Po thellohet hendeku mes vendeve të rajonit tonë dhe vendeve të BE. Ballkani ka tre sfida kryesore, demokracinë, moslënien e Ballkanit për të rrëshqitur në autoritarizëm që e gjejmë në një pjesë të vendeve të BE. Demografinë, të punohet për perspektivën. Tre, hendekun zhvillimor. Do të ishte e udhës të avancohet dosja e Shqipërisë.  S’mund të mbetet peng Shqipëria për shkak se një vend si Bullgaria ka një mosmarrëveshje me një vend tjetër si Maqedonia e Veriut.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb