Më lejoni së pari të falënderoj miliona shikues për programin e së enjtes. Ka qenë ndoshta një nga emisionet më të shikuara por pa dyshim më i komentuari i të gjitha kohërave në historinë e televizioneve shqiptare. Pa dyshim meritë e tre kolegëve të mi, Lela, Gjekmarkaj dhe Rakipllari, të tre secili sipas mënyrës së vet, që vunë përballë kryeministrin e vendit për çështjen e teatrit dhe të dhunës ndaj kolegut Lela.

Sigurisht forma provokative e emisionit të së enjtes por edhe gatishmëria e kryeministrit për t’u përballur me të, qoftë dhe me formën origjinale të protestës se Lelës janë pjesë e suksesit të programit, ku patëm dy deklarime të rëndësishme veç atyre që dinim: e para se teatri paska qenë një ndërtesë pa leje në 4 mijë metra katrorë si dhe premtimi publik i kryeministrit se pas tij, nuk do të ndërtohen kulla të reja.

Një premtim publik që do gjykohet nga koha. Por desha të flas për reagimet. Profesor Artan Fuga mori përsipër provokimet e komenteve dhe unë i pres me dashuri kritikat si dhe me vëmendje vërejtjet. Pastaj mora vesh që emisionin e kishte ndjekur edhe Sali Berisha, i cili njëkohësisht ishte vetë në një tjetër emision, dhe nuk di si e ka bërë, po me doktorin i kam mbyllur hesapet, sa kohë asgjë nuk do të ndryshojë një fakt: se mua më ka dhënë intervistën e fundit, para se të merrte fund si kryeministër. Dhe në raste të tilla askush nuk mban mend intervistën e parë, por atë të fundit.

Gjithashtu pashë që edhe një gazetar i Çim Pekës, i cili kishte dhe ai një intervistë në të njëjtën orë, edhe ai e kishte parë emisionin tim bile kishte dhe reaguar. Sigurisht ishte fokusuar tek i ashtuquajturi incidenti ‘Lela’, dhe mesa kuptova e kishte lidhur me çështje mbathjesh, të Lelës, të Ramës dhe të miat. Gjithsesi, të paktën në rastin tonë, gjithkush mund të flasë për incidente, por jo për aksidente.

Po le të flasim tani për aktualitetin politik. Sërish në skenë është kthyer Ilir Meta. Me një ton të egër, luftarak, por kësaj radhe jo kundër thjesht Edi Ramës dhe pro teatrit, por për reformën në drejtësi. Gjithçka u mor vesh nga një ‘tweet’ i ambasadores amerikane, e cila foli të enjten për lojëra të rrezikshme prapa krahëve kundër reformës në drejtësi. Rama reagoi me një fjali miratuese ndaj shqetësimit amerikan, ndërsa Basha e torri gjatë reagimin e tij, e që në fund më shumë sesa të sqaronte pozicionin e tij, tentoi të bënte atë që bën gjithmonë, ta hiqte fajin nga prehri i tij. Por ishte vetë Kreu i Shtetit që sqaroi gjithçka. Ai pohoi se kishte hartuar një listë me 14 pika, në një skemë që tentonte rishikimin e procesit të miratimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Pas shumë pikave kushtuar fiksimit të tij, Ardian Dvoranit, KLGJ dhe KED, në fokus të tij tani ishte Gjykata e Apelit. Por interesant ishte fakti, që ai kërkonte ngritjen e një seri këshillash politike, të ngjashëm me atë të reformës zgjedhore. ideja? Të ishin këto këshilla që të mbikëqyrnin zgjedhjen e organeve të reja të drejtësisë, me arsyetimin e ruajtjes së balancës si dhe të kontrollit të vendimmarrjes, nga kuvendi pa opozitë, drejt këshillave ad hoc nëpër holle hotelesh, aty ky PD dhe LSI, mund të ndihen të barabartë me PS. Ilir Meta sulmoi të shtunën personalisht, por krijoi sërish një konfuzion në publik. E para sepse reforma në drejtësi e ka të miratuar formulën e realizimit të saj dhe kjo formulë nuk mund të rishikohet, as të korrigjohet. Kjo formulë sigurisht nuk merrte parasysh bojkotin e opozitës, por ka marrë parasysh që parlamenti të mos pengojë zgjedhjen e këtyre organeve. E dyta, sipas burimeve tona, këto 14 pika iu dorëzuan opozitës në takimin me presidentin në 21 maj, në një non paper, për të cilën amerikanët u vunë në dijeni me gjasë nga burimet e tyre brenda opozitës. Ilir Meta thotë se ia ka dhënë këtë letër edhe Ramës, por kryeministri e mohoi këtë gjë.

Në këto kushte konfuzioni është, përse Ilir Meta tenton të përdorë sërish opozitën dhe ta fusë atë në një luftë, me motiv reformën në drejtësi, një luftë që e ka humbur që në korrik 2016? Meta tani nuk e fsheh se kërkon ngritjen e një fronti të unifikuar kundër qeverisë, duke filluar nga Aleanca e Teatrit e deri tek kundërshtari më i fundit kundër Edi Ramës. Po përse ai bllokon reformën zgjedhore? Edi Rama rrëzohet me vota, metodat e tjera ranë. Opozita pranoi këshillin politik si rruga për t’u kthyer në sistem. Por a po kërkon sërish Ilir Meta ta largojë nga sistemi apo shqetësimet e tija për reformën janë të sinqerta? Nëse është kështu, përse nuk e besojnë amerikanët?

*Komenti nga Sokol Balla në nisje të emisionit Real Story

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb