Nga Orani i Algjerisë, ku po zhvillohen Lojërat Mesdhetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ndihet krenar për performancën e sportistëve shqiptarë, të cilët i dhanë 4 medalje Shqipërisë.

Kryebashkiaku ndoqi dje nga afër garën e peshëngritësit Erkand Qerimaj, i cili mori medaljen e argjendtë, por ndërkaq shtoi se këto lojra ishin një sukses për Sport Klubin Tirana.

“Për fatin tonë, të 4 medalistët shqiptarë janë sportistë të Sport Klub Tirana. Ndaj, jam shumë krenar për gjithë përformancën e ekipit. Fakti që sot kthehemi në Tiranë me 4 medalje – dy në mundje, një në peshëngritje dhe Luiza në atletikë – më inkurajon mua si kryetar bashkie, që Sport Klubin Tirana të vazhdojmë ta forcojmë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se nëse vazhdohet me këtë ritëm, jo vetëm medaljet do të vijnë, por kështu inkurajojmë edhe masivizimin e sportit.

“Kjo është arsyeja pse jemi duke folur për kthimin e traditës së klasave sportive, të cilat janë fidanishtja që na ndihmon të spikatim talentet, që pastaj sjellin medaljet për Shqipërinë.

Unë si drejtues i skuadrës së Tiranës ndihem super krenar që të 4 medaljet erdhën nga skuadra jonë. Për sa kohë kemi ngritur këtë nivel, është ndoshta momenti t’i ftojmë bashkitë e tjera, që brenda mundësive të investojnë tek sporti, si diçka që jo vetëm rrit reputacionin e atij qyteti, por reputacionin e të gjithë vendit”, vijoi kreu i Bashkisë.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, Fidel Ylli tha se të gjitha bashkitë e Shqipërisë duhet të marrin shembull nga Bashkia e Tiranës që ka ngritur nivelin e sportit.

“Të marrin shembull nga bashkia juaj, që e keni ngritur nivelin, jo vetëm se keni sportistët më të mirë, por që investoni miliona dollarë për lëvizjen olimpike në shkolla, për ekipet sportive jo vetëm të volejbollit, basketbollit, por të gjithë sportistët elitarë, paguhen trajnerët e tyre, prandaj ne kemi këtë cilësi.

Falenderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës që edhe në këto lojëra i është gjendur pranë sportistëve tanë si në Tokyo, por edhe këtu në Oran”, përfundoi Ylli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb