Nënkryetari i Partisë Republikane Blendi Sulaj i ftuar në “News 24” tha se referendumi që u propozua nga presidenti Ilir Meta është i rëndësishëm, pasi populli do të vendoste vetë.

Sulaj theksoi se është tepër me rëndësi që në një moment krize të thellë si kjo, të dëgjohet zëri i qytetarëve.

Situata është e rëndë. Shqipëria rrezikon që të mbetet sot pa gjykata. Mendoj se në rastin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjidhen ngërçet që ekzistojnë. Vendi nuk ka Gjykatë të Lartë dhe ky është problem. Unë mendoj se referendumi në vendet demokratike është shumë e rëndësishme, sepse shpreh vullnetin e popullit, duke ulur tonet mes institucioneve”, tha Sulaj.

Blendi Sulaj theksoi se opozita nuk po e pengon aspak reformën në drejtësi, por po mbron Kushtetutën e vendit.

“Opozita nuk pengon reformën në drejtësi. Mendoj se maxhoranca është kundër reformës në drejtësi. Parlamenti sot është inekzistent. Kuvendi ka humbur edhe rëndësinë që duhet të ketë. Parlamenti nuk përfaqëson popullin. Mendoj se është krijuar ideja e gabuar se opozita është kundër reformës në drejtësi. Po ashtu, është krijuar ideja e gabuar se opozita është kundër ambasadorëve. Unë mendoj se Rama nuk është më afër se Basha ndaj qasjes së SHBA-ve. Edi Rama do të kapë gjithçka”, u shpreh Sulaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb