Analisti Adri Nurellari komentoi zhvillimet e fundit mes SHBA dhe Iranit, që kanë tërhequr vëmendje botërore, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Suleiman, nga trupat amerikane. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Nurellari vlerësoi vendimin e Presidentit Donald Trump për të ekzekutuar gjeneralin iranian, pasi sipas tij, ai drejtonte grupet terroriste, që kishin ndërmarrë sulme të tmerrshme dhe mizore ndaj shtetasve amerikane, madje edhe ushtrisë amerikane. Sipas Nurellarit, vrasja e Suleiman ka gëzuar edhe mjaft iranianë modernë, të cilët ndjeheshin të kërcënuar nga fuqia që kishte gjenerali.

Sa i takon një përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve, Nurellari tha se të dyja palët po japin sinjale për zbutjen e tensioneve, dhe se sulmet e Iranit ndaj bazave amerikane ishin thjesht show për t’u çliruar emocionalisht.

“Ishte një goditje në kuadër të kufirit të ligjshmërisë ndërkombëtare, sepse SHBA e ka një rol brenda Irakut, rol i cili është në mirëkuptim edhe të qeverisë irakene. Është e vërtetë që si pasojë e presionit të shumicës shiite po përpiqet parlamenti irakian që ta largojë prezencën ushtarake tërësisht nga Iraku, por prezenca e trupave amerikane brenda Irakut dhe autonomia e tyre për të ndërmarrë veprime ka qenë brenda suazave të të drejtave ndërkombëtare, sa i përket goditjeve. Mënyra si është bërë goditja, ha pikëpyetje, sa i përket ligjshmërisë, por nuk është hera e parë. Suleimani njihet si arkitekti i goditjeve që janë bërë ushtarëve amerikanë brenda Irakut. Ishte një ndër individët me më shumë ndikim te njësitë ushtarake të shiitëve, që kanë shkaktuar mijëra viktima amerikane. Irani ka pasur duar të zgjatura edhe përmes grupeve terroriste, si Hesbulla dhe Hamas, që kanë ndërmarrë sulme të tmerrshme dhe mizore ndaj shtetasve amerikanë, madje edhe vetë ushtrisë amerikane. Kështu që ka një histori e gjitha kjo, nuk është tani që ka ndodhur”, tha analisti.

Pjesë nga intervista:
Ç’po ndodh pas vrasjes së gjeneralit Suleiman?

Duhet kuptuar që lë për të dyshuar nëse të gjithë kanë qenë të pikëlluar për vrasjen e Suleimanit, pasi reagimi ishte shumë i vetëpërmbajtur, përtej vdekjes së shumë qytetarëve në turma gjatë varrimit. Por, sulmet ishin të ekuilibruara, që të mos çonin në rrugë pa kthim. Të dyja palët po marrin masa për të parandaluar përshkallëzimin, që mund të shkojë në dimensione goxha të rrezikshme dhe të implikojë më shumë se këto dy shtete. Sulmi me raketa ishte i nevojshëm për Irain për të përmbushur atë mllefin brenda Iranit, por ishte i ekuilibruar që të mos nxiste SHBA të shkojë më tej. Duket qartazi si një shenjë për të deeskalizuar, pra për të parandaluar përshkallëzimin e sulmit. Irani ka një diversitet të brendshëm, jo vetëm kulturor, etnik, fetar, por edhe një diversitet politik, dhe mesa duket vrasja e këtij gjenerali është mirëpritur prej të moderuarve. Fakti që ai ishte kaq i fuqishëm, janë ndjerë të kërcënuar edhe vetë iranianët e moderuar, të cilët e kanë parë me një far gëzimi vrasjen e tij. Irani ka qenë vendi i parë i botës islame që ka përqafuar monarkinë kushtetuese si formë qeverisjeje. Edhe aty ka mjaft njerëz të pakënaqur, përfshirë edhe elitën këtu, nuk janë të gjithë aq tru shkulur, sa të ndjekin të verbër këtë lloj segmenti ekstremist të qeverisjes.

Obama nënshkroi një marrëveshje për ndalimin e prodhimit të armëve bërthamore nga Irani, një marrëveshje që u respektua derisa ndodhën disa fërkime mes prezencës amerikane në rajon dhe Iranit, që eskaluan më andej me marrjen peng të disa marinarëve amerikanë nga Irani he ajo shërbeu si motiv që Trump të tërhiqej nga ajo marrëveshje. Me Trump pati përkeqësim të marrëdhënieve me Iranin.

Pse vendet e tjera e mbrojnë marrëveshjen me Teheranin dhe nuk janë tërhequr si SHBA?
Sepse ato vende frikësohen nga përshkallëzimi që mund të vijë, nëse marrëveshja nuk zbatohet.
Ky veprim ka qenë shumë i dobishëm dhe i vlefshëm për faktin se SHBA kishte humbur kredibilitetin si aktorë që kanë fuqi për t’u imponuar në rajon. Me Obamën pesha e fjalës së Uashingtonit u dobësua gradualisht, qoftë me krizën e Sirisë, por u tregua edhe një lloj paaftësie për të ecur me hapin e kohës. Po ashtu, SHBA u treguan mjaft të vonuar edhe në Siri, me mënyrën si vepruan aty, dhe kjo e dobësoi rolin SHBA, si aktor me ndikim që i ecën fjala, sepse u pa që kjo superfuqi nuk kafshonte, kishte fjalë, por jo dhëmbë. Në këtë aspekt, Turmp ka bërë një ndryshim thelbësor, sepse tashmë SHBA i përmbahen fjalëve që thonë, pra i ka rikthyer dinjitetin SHBA, si faktor që i ecën fjala dhe që kafshon, kur dikush e përçmon.

Si e parashikoni situatën SHBA-Iran, si do të shkojë?
SHBA po rikthen reputacionin kyç, vendimtar, në rajon, që nuk mund të neglizhohet. Sinjalet po tregojnë që të dyja palët duan zbutje të situatës. Patëm një show për të përmbushur emocionet me raketa në bazat amerikane, por që nuk sollën ndonjë rrezikshmëri, dhe nga ana tjetër një lloj komercializimi të situatës. Ajo që ngelet si pikëpyetje është vrasja mizore e 176 pasagjerëve të avionit ukrainas, që i vë kapakun çdo lloj pretendimi të Iranit, sepse Irani ndihet në një pozicion shumë më inferior, që të pretendojë se ka të drejtën të bëjë revansh reprezaleje. Është edhe një dështim i madh ushtarak i Iranit, nëse ka qenë aksidental, sepse tregon një mungesë të trupave.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb