Në emisionin “Open” në New24, mbrëmë u diskutua në lidhje me vendimin e marrë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve për regjistrimin e PD me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeaj për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e ftuar në studio ka deklaruar se vendimi i sotëm është brutal duke shtuar se e sheh si një goditje ndaj pluralizmit.

Topalli tha se KAS ka marrë kompetencat e legjislativit, gjykatës, si dhe ka tejkaluar edhe kërkesën e bërë nga Alibeaj, pasi në vendim përfshihen çështje që nuk janë në kërkesë.

“Sot është marrë një vendim brutal kundër legjislacionit shqiptar, jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm për vendin, në lojë është pluralizmi.

KAS ka marrë kompetencat e gjykatës dhe ka vendosur për diçka që as Alibeaj nuk e ka kërkuar.

Vendimi ishte përtej realitetit dhe çdo zhvillimi politik në skenën shqiptare gjatë kësaj kohe. Edhe sikur të mos ekzistonte fare PD me Berishën, vetëm duke u nisur nga vendimi i Apelit dhe sot nga KAS, kush qendron vendimi i Apelit apo ai i KAS. Në bazë të kodit Zgjedhor kush ka të drejtë? Ju që caktoni kush është kryetari me çfarë baze e Statuti e caktoni? Është thyer ligj dhe Statuti.

Vendimi i sotëm është dhënë më shumë se sa kërkohej dhe ka marrë kompetencat e gjykatës dhe kompetencat e legjislativit.

Pse KAS e ka bërë këtë është gjë tjetër, hyjmë në rrafshin politik.

Vendimi është politik dhe më e rëndë se kaq. Sepse të regjistrosh një grup të ri është normale, por t’i vjedhësh emrin, vulën, kompetencë, të bësh edhe legjislatorin, kjo është ajo që s’ka ndodhur në 3 dekada. Në planin politik kjo është përpjekje për të goditur pluralizmin”, ka deklaruar Topalli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb