Partizani do të mbyllë sot përgatitjet për ndeshjen e nesërme në “Adush Muçaj” kundër Bylisit, një skuadër që e ka vënë mjaft në vështirësi në këtë sezon, duke e mposhtur dy herë në tri ndeshje. Në këtë betejë të radhës dy skuadrat janë në “fije të perit”.

Bylisi kërkon të mbijetojë në Kategorinë Superiore, ndërsa Partizani në katërshen finaliste të titullit. Elbasani është vetëm një pikë larg, me verdheblutë, që sfidojnë Vllazninë në ndeshjen e radhës.

MUNGESAT – Të kuqtë në këtë ndeshje nuk shkojnë në situatën më të mirë të mundshme, pasi pritet të kenë tri mungesa të rëndësishme. Albers Keko ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar për këtë sfidë, teksa Agim Zeka ka pësuar një dëmtim muskulor, që e ka detyruar të mbyllë sezonin.

Sulmuesi la fushën në minutën e 14-të në ndeshjen e shkuar kundër Egnatias. Sakaq, në terapi e sipër është edhe David Domgjoni, i cili po bën maksimumin për t’u kthyer, por duket shumë e vështirë. Pjesa tjetër e skuadrës janë të gatshëm dhe gati për ta nisur sfidën nga minuta e parë. Vëmendje nga stafi po merr Eleke, të cilin po përpiqen ta sjellin në formë maksimale sa më shpejt të jetë e mundur.

FORMACIONI – Strategjia e Gegës kundër Egnatias shkoi mirë dhe nisur nga kjo, nuk pritet të ketë ndryshime, përveç pozicioneve të lojtarëve të dëmtuar. Në portë pritet sërish Qirko, teksa në mbrojtje në vend të Domgjonit me shumë mundësi do të luajë Sembene. Në mesfushë ka një dyshim mes Taipit dhe Mehmetit, teksa në sulm opsionet janë shumë të pakta dhe Gega do të jetë i detyruar në zgjedhje.

Screenshot 2025-04-18 184611

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb