Të paktën tetë persona u vranë dhe shtatë u plagosën, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në Allen, Teksas. Ndërkohë agresori u qëllua për vdekje me armë nga një oficer policie. Personi i armatosur po ecte ngadalë në trotuar dhe qëllonte pa dallim, tha një dëshmitar okular për televizionin WFAA. Videot e shpërndara në mediat sociale treguan qytetarët duke ikur nga dyqanet ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri.

Dhjetra klientë dhe punonjës u shoqëruan nga policia në dalje të qendrës tregtare Allen Premium Outlets, e cila strehon rreth 120 dyqane dhe ndodhet 40 kilometra në verilindje të Dallasit. Nëntë të plagosur u dërguan në spital, ndërkohë dy prej tyre iu janë nënshtruar plagëve të marra, tre janë shtruar në spital në gjendje kritike për jetën dhe katër thuhet se i kanë shpëtuar rrezikut. Motivi i sulmuesit, i cili besohet se ka vepruar i vetëm, mbetet i paqartë, tha shefi i policisë Allen, Brian Harvey në një konferencë shtypi.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott e quajti sulmin një “tragjedi të patregueshme”, duke siguruar se autoritetet shtetërore janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme nga shërbimet në qytetin e Allen. Sulmet me armë janë një plagë në SHBA, ku ka pasur 198 të shtëna masive që nga fillimi i vitit, sipas uebsajtit të specializuar Gun Violence Archive. Ky numër është më i larti i regjistruar (në këtë periudhë të vitit) që nga viti 2016.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: