Të paktën 7 efektivë të policisë janë raportuar se kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me bombë dhe armë ditën e sotme në Irak.

Sulmi ndodhi ditën e sotme afër Kirikukut,ndërsa deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër ngjarjen.

Autoritetet irakiane kanë fajësuar për sulmin grupin e Shtetit Islamik.

Kujtojmë që një tjetër sulm i ngjashëm ndodhi të mërkurën afër Bagdadit, ku si pasojë humbën jetën 3 ushtarë irakianë. Sulmi u mor përsipër nga IS.

Ndërsa sulmi i sotëm, kishte në shënjestër një kamion që transportonte efektivë të policisë afër fshatit Chalal al-Matar.

“Një nga autorët është vrarë dhe jemi në kërkim për  të tjerët”, u shpreh një zyrtar, duke thënë se në sulm u plagosën edhe dy policë.

IS dikur zotëronte rreth 88,000 km katrorë territor që shtrihej nga Iraku lindor në Sirinë perëndimore dhe imponoi sundimin e tij mbi pothuajse 8 milionë njerëz.

Por forcat irakiane shpallën fitoren ndaj grupit islamik në dhjetor 2017, pasi përzunë militantët e IS nga zona kufitare siriane ku kishin qenë bastionet e fundit të islamistëve.

Grupi u dëbua nga territori i tij i fundit në vitin 2019.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb