Një sulm me raketa në një bazë ajrore amerikane, në rajonin kurd të Irakut, ka vrarë të paktën një civil dhe ka plagosur nëntë të tjerë.

Sipas mediave të huaja, një breshëri me rreth 14 raketa goditi bazën që priste trupat amerikane pranë aeroportit në qytetin kryesor të rajonit, Erbil.

Siç theksohet më tej, tre raketa me diametër “107 mm” ranë brenda bazës, ndërsa të tjerat ranë në zonat e banuara përreth saj, ku si pasojë mbeti i vrarë një person i identifikuar nga autoritetet amerikane si një shtetas i huaj, por jo amerikan.

Të paktën pesë civilë irakianë u plagosën gjithashtu dhe aktualisht ndodhen në gjendje kritike.

Kujtojmë se njësitë ushtarake dhe diplomatike dhe personeli perëndimor janë vënë në shënjestër që nga viti 2019 nga raketa Katyusha. Për këto sulme SHBA ka fajësuar forcat paraushtarake pro-iraniane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb