Disa raketa kanë shënjestruar qytetin irakian Irbil, kryeqytetin e rajonit autonom kurd në veri të Irakut dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se ato janë nisur nga Irani.

Raketat kanë goditur qytetin në orët e para të 13 marsit, duke shënjestruar ndërtesën e re të konsullatës amerikane dhe një zonë në afërsi, mirëpo ato kanë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe një civil është plagosur, ka thënë Ministria e Brendshme kurde.

Një korrespodent i televizionit shtetëror iranian me bazë në Irak, ka thënë se raketat kanë pasur qëllim “bazat sekrete izraelite”.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit e ka quajtur sulmin “të egër”, mirëpo ka thënë se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe nuk ka dëme në objektet e Qeverisë amerikane në Irbil.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes është cituar të ketë thënë se raketat janë nisur nga një qytet i Iranit, transmeton agjencia e lajmeve, Associated Press.

Forcat amerikane të stacionuara në kompleksin e aeroportit ndërkombëtar të Irbilit janë goditur në të kaluarën me raketa dhe sulme me dronë, për të cilat zyrtarët amerikanë drejtojnë gishtin te grupet e lidhura me Iranin.

Megjithatë, për sulme të tilla nuk është raportuar në muajt e fundit. Ky sulm ka ndodhur disa ditë pas një sulmi izraelit afër Damaskut të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur dy anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit. Teherani e ka dënuar ashpër sulmin dhe është zotuar se do të hakmerret.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: