Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj ka paraqitur konkluzione në seancën dëgjimore që u zhvillua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me një fjalim ku ka përmendur dhe çështjet e rëndësishme të hetuara prej saj, që e bënë të njohur si prokurorja e hekurt e dosjeve të mëdha si ato në lidhje me terrorizmin, politikanët e ndryshëm dhe krimin e organizuar.

Në fjalën e saj përmbyllëse ne Kolegj, Imeraj u shpreh se është përkrahur madje kërkuar nga ana e saj, një hetim i thelluar administrativ, por dhe penal, për të shpjeguar se raporti me të drejtën është ai që i intereson më shumë, raporti me të vërtetën reale është ajo që presin të gjithë.

“Në punën time si prokuror, jam hasur me vështirësi në drejtim të ushtrimit të detyrës për arsye nga me të ndryshmet, por në asnjë rast nuk jam gjetur përballë vështirësisë totale të realizimit të detyrës apo mbrojtjes së vetes dhe familjes time siç ka ndodhur nga sulme të çuditshme të paraqitura me denoncime në copa letrash, apo e-maile me emra te rremë, si Rrahim Shehu, Valentino Ymeri, apo me emrin e një qytetareje që në rreshtat e mëposhtëm, do sqaroheni më shumë për përmbajtjen e denoncimeve të saj”, tha Imeraj.

Ajo theksoi më tej se ka hetuar çështje të ndryshme dhe ka hasur me sulme të ndryshme, duke përfshirë dhe ato politike, ku në periudha të ndryshme kohore për shkak hetimesh janë përpjekur dhe ta intimidojnë për shkak të origjinës nga Tropoja, por ia ka arritur që të jetë e pacenueshme sepse mundohet të zbatojë gjithmonë të drejtën.

“Unë nuk mundet të pasqyrohem në sytë tuaj, si prokurori që nuk përmbush kriterin profesional pasi kam kaluar për kompetencë me të drejtë në këndvështrimin tim, dy çështje, vendimmarrja për të cilat është ushtruar dhe nga institucione të tjera, pasi nuk është ashtu:
– Jam prokurori që kam dërguar përgjatë viteve ne gjykim thuajse 160 të pandehur, dhe mundem të kem marrë 2 dy apo 3 tre pafajësi.
– Jam prokurori që kam ndjekur çështje të rëndësishme dhe sensitive në opinionin publik.
– Kam hetuar politikanë, zyrtarë në nivele të larta, anëtarë të krimit të organizuar, terroristë etj.
Ky prokurori jam unë, ky prokurori që kam bërë shumë seanca gjyqësore me 9 nëntë të pandehur për terrorizëm, dhe me sallën e mbushur plot me përkrahës së tyre.
Jam ky prokurori që kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështjen ‘Shullazi’, atë çështje, për të cilën me largimin tim nga detyra e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, askush nuk pranonte të konkludonte duke luajtur rolin e përfaqësuesit të akuzës për të dhënë konkluzionet përfundimtare. Ai prokurori qe shprehu gatishmërinë për të përfaqësuar akuzën në gjyq në emër të shtetit për një çështje të tillë, dhe në kushtet kur mbi 10 prokurorë nuk pranuar të përfaqësonin akuzën. Ata prokurorë nuk pranuan të marrin çështjen në fjalë pasi ekzistonte një perceptim të cilin po e ilustroj vetëm me një citim e thënë nga një nga prokuroret:
“skam se përse pres ndonjë tritol tek shtëpia….’’.
Kerkoj jo vetem ne rangun ligjor, lënien në fuqi të Vendimit nr. 363, datë 01.04.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por mbi te gjitha Drejtesi”, tha Imeraj.

PJESË NGA FJALA E IMERAJT
Për hir të transparencës, si dhe për të qenë sa më ezauruese në çdo shkak dhe pretendim të ngritur në ankim, nga ana ime është kërkuar hetim i plote dhe shterues.
Si subjekt rivlerësimi, në çdo hap procedural, qoftë në shkallë të parë, ashtu dhe para Kolegjit, duke qenë e hapur dhe duke mirëpritur çdo lloj hetimi, kam qenë kërkuese për marrjen e provave jo vetëm në drejtim të provueshmërisë, por dhe në drejtim të qartësimit jo vetëm të pozitës time individuale në këtë proces.
E çmoj të arsyeshme të ritheksoj se është përkrahur madje kërkuar nga ana ime, një hetim i thelluar administrativ, por dhe penal, për të shpjeguar para Jush dhe para publikut, se raporti me të drejtën është ai që më intereson më shumë, raporti me të vërtetën reale është ajo që presin të gjithë.

Në rang të konkluzioneve të nxjerra mbi baza dokumentacioni rezulton se:
Unë, Elisabeta Imeraj, nuk disponoj dhe as nuk kam disponuar asnjë pasuri në pronësi apo bashkëpronësi gjatë gjithë periudhës së rivlerësimit, nga fillimi i detyrës së prokurorit dhe deri më sot. Për efekt të procesit të rivlerësimit kam dhënë deklarime të plota, të qarta, për pasuritë e personit të lidhur duke shpjeguar çdo detaj që lidhet me këto pasuri, si dhe burimin e ligjshëm të krijimit të tyre.
Institucionet shtetërore në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve, si dhe gjatë hetimit administrativ në KPK, kanë theksuar përshtatshmërinë në drejtim të vijimit të ushtrimit të detyrës.

Ndërsa në raport me kriterin profesional, eksperienca e punës prej 17 vitesh, çështjet e hetuara gjatë punës si prokuror, ku përfshihen dhe çështje sensitive për shkak të rrezikshmërisë së veprave dhe të autorëve të hetuar, përkushtimin dhe ndërgjegjen e treguar në punë, si dhe vullnetin për qasje karshi ngritjes profesionale, e bëjnë konkluzionin e KPK-së të drejtë dhe të saktë.

Duke kuptuar më së miri, rëndësinë e procesit të rivlerësimit, si një ndër momentet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, kuptoj dhe vlerësoj çdo institucion shtetëror të ngarkuar nga Kushtetuta dhe Ligji për kryerjen e një procesi të tillë.

Ne Aneksin e Kushtetutës, janë të parashikuara në mënyrë të plotë respektimi i parimeve që lidhen me procesin e rregullt ligjor, qoftë dhe në kuadrin e procesit të rivlerësimit, parimi i proporcionalitetit dhe objektivitetit, parimi i mosdiskriminimit, parimi për barazinë e armëve në proces etj.
Këto parime, si të tilla, janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo organ ligjzbatues duke përfshirë dhe mekanizmin e rëndësishëm që i vjen në ndihmë këtij procesi, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Në parantezë të konkluzioneve, para Jush po ndaloj në një prezantim faktik të situatës në të cilën procesi i rivlerësimit më ka vendosur mua si subjekt rivlerësimi.
– Ushtroj funksionin e Prokurorit të Republikës së Shqipërisë që nga viti 2004, me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës.
– Në punën time si prokuror, jam hasur me vështirësi në drejtim të ushtrimit të detyrës për arsye nga me të ndryshmet, por në asnjë rast nuk jam gjetur përballë vështirësisë totale të realizimit të detyrës apo mbrojtjes së vetes dhe familjes time siç ka ndodhur nga sulme të çuditshme të paraqitura me denoncime në copa letrash, apo e-maile me emra te rremë, si Rrahim Shehu, Valentino Ymeri, apo me emrin e një qytetareje që në rreshtat e mëposhtëm, do sqaroheni më shumë për përmbajtjen e denoncimeve të saj.

Jam hasur gjatë këtij procesi të rivlerësimit, me konkluzione të quajtura opinione apo gjetje, të cilat referojnë burim prove, letra anonime, jam hasur gjatë këtij procesi me cenim të jetesës personale edhe në kushtet kur nuk ishte e nevojshme.

Jam hasur gjatë këtij procesi edhe me përballjen e futjes së akteve të falsifikuara në dosje, kartela e pasurisë ku KP bazon një pike te ankimit, me synimin për të arritur qëllimin dashakeqes, por më lejoni që jo vetëm për respektin karshi vetes time, por mbi të gjitha për respektin karshi fëmijëve dhe familjareve të mi, të paraqes prokuroren Elizabeta Imeraj, nenën Elizabeta Imeraj, motrën apo familjaren Elizabeta Imeraj.

Kam hetuar çështje të ndryshme dhe jam hasur me sulme të ndryshme, duke përfshirë dhe ato politike, ku në periudha të ndryshme kohore për shkak hetimesh janë përpjekur dhe të më intimidojnë për shkak të origjinës time nga Tropoja, janë përpjekur të vendosin sa në një rrymë politike apo në tjetrën, janë përpjekur të më trembin në mënyra të ndryshme, por në fakt ja kam arritur që të jem e pacenueshme dhe jo sepse jam e fortë, apo dhe e pandjeshme, por sepse jam dhe mundohem te zbatoj gjithmonë të drejtën.
Unë nuk mundet të pasqyrohem në sytë tuaj, si prokurori që nuk përmbush kriterin profesional pasi kam kaluar për kompetencë me të drejtë në këndvështrimin tim, dy çështje, vendimmarrja për të cilat është ushtruar dhe nga institucione të tjera, pasi nuk është ashtu:
– Jam prokurori që kam dërguar përgjatë viteve ne gjykim thuajse 160 të pandehur, dhe mundem të kem marrë 2 dy apo 3 tre pafajësi.
– Jam prokurori që kam ndjekur çështje të rëndësishme dhe sensitive në opinionin publik.
– Kam hetuar politikanë, zyrtarë në nivele të larta, anëtarë të krimit të organizuar, terroristë etj.
Ky prokurori jam unë, ky prokurori që kam bërë shumë seanca gjyqësore me 9 nëntë të pandehur për terrorizëm, dhe me sallën e mbushur plot me përkrahës së tyre.
Jam ky prokurori që kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështjen ‘Shullazi’, atë çështje, për të cilën me largimin tim nga detyra e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, askush nuk pranonte të konkludonte duke luajtur rolin e përfaqësuesit të akuzës për të dhënë konkluzionet përfundimtare. Ai prokurori qe shprehu gatishmërinë për të përfaqësuar akuzën në gjyq në emër të shtetit për një çështje të tillë, dhe në kushtet kur mbi 10 prokurorë nuk pranuar të përfaqësonin akuzën. Ata prokurorë nuk pranuan të marrin çështjen në fjalë pasi ekzistonte një perceptim të cilin po e ilustroj vetëm me një citim e thënë nga një nga prokuroret:
“skam se përse pres ndonjë tritol tek shtëpia….’’.

Jam Drejtuesi i Prokurorisë që përkushtohem në maksimum për të bërë të mundur bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërinstitucional me qëllim të mirën e punës.
E ndërsa si individ, jam mamaja e dy fëmijëve të mi, që vrapoj pas tyre në çdo minutë të kohës time të lirë, për t’i mësuar, per t’u përkujdesur e për t’i edukuar duke ju falur dashuri pafund.
Jam bija e tim eti, qe vrapoj pas tij në çdo moment. Jam bija e sime mëje dhe përballojmë bashkë sfidën e madhe të sëmundjes së rëndë që po kalon që nga viti 2019.
Kjo jam UNË të Nderuar!
Krejt e ndryshme nga ajo që rezulton nga denoncuesi i rremë Rrahim Shehu, Valentino Ymeri apo qytetarja me emrin E.F etj.
Unë nuk jam dhe kurrsesi nuk mundet të jem prokurori apo individi që bën përgjime, apo shantazhe në kundërshtim me ligjin, sepse ky individi nuk jam UNË, nuk e kam menduar ndonjëherë dhe me duket absurde ta dëgjoj.

S’ka asnjë lloj arsye që një anonim si Rrahim Shehu apo Valentino Ymeri, apo dhe shtetasja Eriona Fino të vlejë në rang të çmuarjes së provave më shumë se:
– ILDKPKI,
– DSIK,
– SHISH,
– KLP,
– Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit,
– Komisariatet e Policisë Tiranë.
– Garda e Republikës,
– ASHK.

Mbi kriterin e pastërtisë së figurës dhe përshtatshmërinë e kryerjes së funksionit të Prokurorit, nga ana e DSIK-së, mbi bazën e nenit 39, pika 2, të Ligjit nr. 84/2016, është përgatitur raporti përkatës i cili ka konkluduar “Për përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit znj. Elizabeta Imeraj”.
Pas përditësimit të kërkuar nga Komisioni, grupi i punës pranë DSIK, ka konfirmuar referimin e tij të hershëm mbi përshtatshmërinë e vijimit të funksionit të prokurorit.

Deklarimi i pasurisë në vetvete, në drejtim dhe të përmbushjes së qëllimit të ligjit lidhet me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara për sa më poshtë:
– Saktësia e deklarimeve dhe në përputhje me ligjin;
– Ekzistenca e burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;
– Mungesa e fshehjes së pasurisë;
– Moskryerja e deklarimeve të rremë;
-Mosgjendja ne kushtet e konfliktit të interesave.
Në kuadër të procesit të rivlerësimit, dhe më konkretisht të vlerësimit të pasurive, subjekti është i ngarkuar nga Ligji 84/2016 me dy detyrime të veçanta, të cilat janë logjikisht dhe në mënyrë kronologjike pasuese.
– Së pari, detyrimi për të deklaruar, d.m.th. për të identifikuar pasuritë në pronësi, posedim ose gëzim dhe burimet përkatëse të të ardhurave
– Së dyti, detyrimi për të justifikuar, d.m.th. për të paraqitur dokumentet përkatëse që vërtetojnë ligjshmërinë e burimeve të pretenduara të të ardhurave.

Rezulton se për shtetasin Agron Bajri dtl 20.01.1970, Gjykata e Apelit Romë, ka vendosur ta deklarojë të pafajshëm këtë shtetas për shkak të moskryerjes së faktit (penal të prezumuar). Gjithashtu sipas akteve shoqëruese të gjetjes, rezulton se vendimi i pafajësisë, ka marrë formë të prerë. Sipas vendimit te Gjykatës se Apelit Rome, rezulton se vete prokuroria per rastin ne fjale ka kërkuar, citoj ‘pafajësi për moskryerje te faktit’.

Fakti i deklarimit të pafajshëm në bazë të vendimit gjyqësor të prezantuar nga ONM, rezulton të jetë arsyetuar dhe konkluduar nga Gjykata e Apelit Romë, për shkak të moskryerjes së faktit penal, duke provuar bindshëm se, qoftë eventualiteti i dijenisë, qoftë mosdija e kësaj rrethane, është e paaftë për të ndikuar në mënyrën e plotësimit të formularit për kontrollin e figurës, duke mos u paraqitur asnjë shkak që e bën të cenueshëm raportin dhe konkluzionin e DSIK, për ekzistencën e plotësimit në mënyrë të saktë dhe në përputhje të plotë me kriteret dhe standardet kushtetuese të formularit për kontrollin e figurës.

Ne lidhje me pretendimin për përgjim te paligjshëm realizuar nga E. Imeraj.
– Janë marre përgjigjet nga te gjitha institucionet dhe nuk rezulton, asgjë në këtë drejtim.
– Vete Elizabeta Imeraj ka paraqitur kallëzim penal për të zbuluar kush, ku dhe kur u përgjua, dhe nëse ka pasur përgjim?
– Vetë Elizabeta Imeraj ka denoncuar portalet si infront org qe kane bere shkrime ne lidhje me këtë përmbajtje denigruese.
– Hetimi është në vijim dhe s’ka asnjë rrethane që e lidh Elizabeta Imeraj me këtë fakt.

Imeraj deklaroi:
Pas njohjes me parashtresat e bëra nga VN në lidhje me letrën e nderit të vendosur në themel të gjetjes së tij, të dërguar nga ish-kolegu i tij, Hans Kiljistra, pasi jam njohur me gjetjen, në njoftim të rezultateve të hetimit, kam paraqitur shpjegime të mija të detajuara si edhe akte shkresore, mbi bazën e dijenisë që mund të kishin organet ligjzbatuese në vend, mbi çdo pretendim që bëhen në këtë opinion të paraqitur.
Në kuadër të shpjegime të kësaj gjetje, sikurse edhe në KPK ashtu edhe në Kolegj kam kërkuar dhe janë administruar në cilësinë e provës, akte të plota shkresore.

Në asnjë nga këto akte nuk rezulton asnjë lloj e dhëne, asnjë lloj informacioni sado i panevojshëm, që të ekzistojë një pretendim i tillë mbi përgjim, survejim të mundshëm të Z. Kijlstra dhe aq më pak që një pretendim i tille të ketë lidhje me mua.

Burimi i provës për vërtetimin e faktit të pretenduar është denoncimi i paraqitur nga Rr.Sh., i depozituar pranë Komisionit. Nga hetimi administrativ nuk rezultoi të administrohet asnjë fotografi, apo përgjim për ish-vëzhguesin Z. K., dhe as rezulton që subjekti i rivlerësimit të ketë njohuri në lidhje me to.
Pretendimet e bazuara në letrën e Rr.Sh., mbeten pretendime të shprehura nga ky i fundit pa asnjë të dhëne tjetër me vlerë provuese. Nga ana tjetër, bazuar ne dokumentacionin e administruar, nuk rezulton që z. K. ta ketë adresuar shqetësimin e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri në asnjë nga agjencitë kompetente për ndjekjen e rastit, si ne polici apo prokurori, fakt ky i konfirmuar nga përgjigjet zyrtare dhe institucionale.

Për sa i përket pretendimit qe lidhet me z. Kijlstra është më se e nevojshme të hetohet kush e ka përgjuar, a ka pasur përgjim, dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur. Edhe kjo situatë është kërkuar të hetohet nga ana ime në kallëzimin e paraqitur.

Për sa më sipër, çdo veprim i bërë nga ana ime konsiston në një hetim të plotë të asaj çfarë ka ndodhur me qëllim sqarimin e pozitës që padrejtësisht në bazë të një denoncimi anonim më lidh mua me situata të paqena.
Përveç kërkimeve administrative Elizabeta Imeraj ka kërkuar hetim për:
– A ka pasur përgjim në z. Kiljistra dhe në çfarë rrethanash është bërë ky përgjim i paligjshëm, duke identifikuar autorin apo autorët.
– A ka pasur presion të ushtruar dhe në çfarë rrethanash është kryer nëse është ushtruar presion mbi anëtarët e ndryshëm të trupës gjykuese, përfshirë këtu edhe komisioneren Etleda Çiftja.
– Evidentimin e faktit se, cili është personi apo personat që kanë falsifikuar denoncimin e përcjellë me emrin Rrahim Shehu, me qëllim cenimin e figurës time si prokuror dhe ndikimin për shkarkim nga detyra.
– Hetimin e portaleve si infron. Org, nga botohen shkrime te ndryshme me natyre fyese.

Prokurorja Imeraj pretendoi se nuk mund te konsiderohej sjellje jo etike e saj, fakti qe nuk kishte pranuar te përgjigjej me PO ose Jo, pyetjeve te Vezhguesit nderkombetar:
Ajo u shpreh: “Nuk njoh dhe nuk di të ketë ndonjë procedurë hetimore penale, civile apo administrative ku dikush në çfarëdolloj pozicioni qoftë, arrin të të imponoje pergjigjen me PO ose JO”.
“Perballe në atë seance degjimore ishte Elizabeta Imeraj, shtetase shqiptare, qytetar i lire i Republikes se Shqiperise, ne nje proces administrativ, ku po pasqyronte jetesen e saj, si dhe perballe ishte prokurorja e Republikes se Shqiperise Elizabeta Imeraj, e cila si njeri por dhe si prokuror ka te drejte, por dhe eshte i detyruar te mbroje nderin dhe dinjitetin e vet.
Une nuk kam hasur deri me sot, një proces te tillë rivlerësimi, ku çdo situate interpretohet me keqdashje, ku çdo situate trajtohet ne mënyre te pabarabarte me subjektet e tjera, ku çdo fjali e thene, te merret ne drejtim negativ, ku perdoren letra anonime per te ngritur nje tymnaje verbuese, ku futen dhe akte te falsifikuara si kartela e pasurise. Kam nje pyetje te thjeshtë, perse, për çfarë arsye dhe kujt i intereson?
Kerkoj jo vetem ne rangun ligjor, lënien në fuqi të Vendimit nr. 363, datë 01.04.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por mbi te gjitha Drejtesi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb