Tre njerëz janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur në atë që policia ka thënë se dyshohet të jetë sulm terrorist në qendër të qytetit izraelit, Elad. Dy sulmuesit – njëri i armatosur me armë dhe tjetri me sëpatë – kanë shënjestruar kalimtarët në parkun e qytetit, kanë raportuar mediat izraelite. Të dyshuarit janë ende në arrati.

Ky sulm ka ndodhur teksa Izraeli ka shënuar Ditën e Pavarësisë, ditë pushimi për nder të themelimit të shtetit. Ky sulm vjen edhe pas sulmeve vdekjeprurëse që janë kryer nga palestinezët dhe arabët izraelitë në ditët e fundit, duke shënuar periudhën me sulmet me të përgjakshme në Izrael prej vitit 2006.

Të paktën 15 njerëz janë vrarë në Izrael dhe në Bregun Perëndimor në javët e fundit. Izraeli është përgjigjur duke bastisur qytezat palestineze, veprime që kanë nxitur përleshje dhe kanë rezultuar me viktima. Së fundi ka pasur përleshje të dhunshme edhe në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, pikë e rëndësishme si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë, të cilët e quajnë Mali i Tempullit.

Autoritetet lokale u kanë kërkuar banorëve të qytetit Elad që të qëndrojnë në ambiente të brendshme. Shumica e popullsisë së qytetit është pjesë e komunitetit të hebrenjve ultra-ortodoksë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: