Piratët kibernetikë iranianë janë infiltruar në rrjetin e disa prej kompanive më të mëdha në botë, si në fushën e energjisë, transportit, telekomunikacionit dhe agjencitë qeveritare.  Ata kanë marrë të dhëna të rëndësishme, si informacione mbi punonjësit, fotot ID, informacione rreth sigurisë së fluturimeve dhe aeroportet, informacione të rëndësishme mbi infrastrukturën etj. Alarmin e ngriti kompania amerikane e sigurisë kibernetike, “Cylance”, e cila tha se ata janë në gjendje që të shkaktojnë dëme të mëdha te kompanitë që kanë sulmuar. Piratët kibernetikë nga Teherani kanë përdorur një sërë mjetesh për të kompromentuar të dhënat e 50 kompanive të nivelit botëror, pavarësisht sistemeve të larta të sigurisë që ato zotërojnë. Në listë përfshihen kompani ajrore, universitete, kompani energjetike dhe telekomunikacioni, kompani teknologjike dhe spitale, në vende të ndryshme të botës, si Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kina, Arabia Saudite, India, Gjermania, Franca, Anglia, Kanada, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Meksikë etj.

Piratët kanë depërtuar edhe në universitete, sidomos tek universitetet mjekësore, duke marrë informacione mbi studentët e huaj, si fotot e pasaportave dhe kartat sociale të sigurisë.

(o.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb