Sulmet e vazhdueshme mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë nxiti reagime të menjëhershme duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë që paraqet shpërndarja e rrezatimit nga ky termocentral.

Termocentrali është më i madhi i tipit bërthamor në Evropë, ndërsa disa prej sulmeve thuhet se kanë qenë shumë pranë reaktorit, çka ka ngritur alarmin e ekspertëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i quajti sulmet “vetëvrasëse”, ndërsa si rusët ashtu edhe ukrainasit fajëson tjetrën për sulmet.

Profesor David Alexander, ekspert në menaxhimin dhe reduktimin e fatkeqësive me Institutin për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive në University College London, me një përvojë pune në zona radioaktive që kanë pësuar fatkeqësi bërthamore u shpreh se ende nuk dihet se si të veprohet në rast të një sulmi me raketa mbi një ndërtesë me këto specifika, pasi është diçka që nuk ka ndodhur më parë.

“Ne nuk kemi përvojë për efektet e sulmeve me raketa në objektet bërthamore civile. Duke gjykuar nga aksidentet dhe gabimet e ndryshme në fushën bërthamore në të kaluarën, pjesa më e madhe e ndotjes do të ishte lokale, por në rast të një shtëllunge radioaktiviteti të nivelit të lartë, ai mund të arrijë, nëpërmjet qarkullimit të përgjithshëm të atmosferës, në Ballkan dhe Itali.

Çdo rrjedhje radioaktive do të përfshinte nuklide, të cilat mund të shpërbëhen në disa ditë, ose mund të zgjasin edhe me mijëvjeçarë të tërë”, tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që bota përballet me ndotje serioze radioaktive për shkak të një fatkeqësie në një central bërthamor civil.

Kur reaktori i termocentralit në Çernobil pati një shkrirje pas një shpërthimi me avull, materiali radioaktiv mbuloi të gjithë Evropën.

Ndërkohë, Zaporizhzhia është dy herë më e madhe se Çernobili.

“Ashtu si me Çornobilin, procesi i reagimit ndaj një lëshimi bërthamor në Zaporizhzhia do të ishte shumë i vështirë dhe do të përfshinte humbje jete. Edhe në Fukushima Dai’ichi, mbeturinat e shkrirjeve nuk do të hiqen deri sa një fillim bëhet vitin e ardhshëm, 12 vjet pas katastrofës.

Do të kërkojë mjete robotike shumë të sofistikuar. Kur isha në Fukushima Dai’ichi në qershor, reaktori nr. 1 lëshonte ende rrezatim 37 herë më shumë se niveli i sigurisë, i matur (nga unë) në një distancë prej 80 metrash.

Çaktivizimi i Fukushima Dai’ichi llogaritet të zgjasë 30-40 vjet. Unë do të thosha se ka më shumë gjasa të ndodhë në 100 vjet, pasi kjo është afërsisht koha e planifikuar e çmontimit”, tha profesori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb