TIRANE- Krerët e politikës shqiptare, Presidenti i vendit Bujar Nishani dhe kryeparlamentari Ilir Meta kane shprehur personalisht ngushëllimet pranë ambasadës së Francës në Tiranë. Në takimin me ambasadorin Bernard Fitoussi ata dënuar sulmet terroriste në Paris dhe nënvizuan se marshimi i Paqes dje e mposhti terrorizmin.

NISHANI: TERRORIZMI U SHFAQ MË EGËR SE KURRË, PARISI E MPOSHTI FRIKËN
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka lënë mesazhin e tij në librin e ngushëllimeve të ambasadës franceze në vendin tonë pas sulmeve terroriste të ditëve të fundit në revistën satrike ‘Charlie Hebdo’, por edhe në një supermarket të Parisit.

Në fjalën e tij, menjëherë pasi ngushëlloi popullin francez, kreu i Shtetit i cilësoi akt barbar, sulmet terroriste, ndërsa shtoi se me marshimin e paqes, ky popull mposhti frikën dhe vërtetoi edhe njëherë se demokracia e liria mbetën të papërkulura.

“Ngushëllime dhe solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre, shpreh simpatinë e madhe me popullin dhe autoritetet pas aktit barbar që ndodhi në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo’ në supermarkete dhe rrugë ku ekstremizmi dhe ligësia ndaj lirive dhe të drejtave u shfaq më e egër së kurrë, në qendrën e lirisë dhe demokracisë, Parisin. Ai ishte një sulm i dhimbshëm që s’ka të bëjë me fatalitetin e frikëm. Ku ka frikë nuk ekziston liria. Ku ka liri nuk ka frikë, Parisi tregoi që liria e mposht frikën. Marshimi i paqes ku morën pjesë drejtues nga mbarë bota tregoi se pavarësisht rreziqeve që ka liria dhe paqja kohezioni i demokracisë ekziston në planetin tonë.

“Garantoj popullin francez se shqiptarët do jenë gjithnjë përkrah Francës dhe aleancës së të drejtave dhe lirive, për ti çuar përpara dhe për ti mbrojtur ato. Liria e mbetet e rrezikuar dhe e kërcënuar, por ajo është e papërkulur”, tha më tej Nishani.

META: MARSHIMI I PAQES, TRIUMF NDAJ TERRORIZMIT
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Republikës së Francës në Tiranë ku u takua me Ambasadorin, Bernard Fitoussi, për t’i shprehur ngushëllime për ngjarjen tragjike të ndodhur në Paris, Francë. Pasi nënshkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit në një prononcim për mediat tha se marshimi i zhvilluar dje në Paris ishte tregues i qartë i triumfit kundër terrorizmit.

“Dëshiroj të shpreh edhe njëherë tjetër këtu në Ambasadën e Republikës franceze besimin më të plotë se Franca e lirisë, Franca e të drejtave të njeriut, Franca e shpresës, do të triumfojë dhe mendoj se marshimi i djeshëm në Paris ishte tregues i qartë i këtij triumfi kundër terrorizmit, frikës dhe pasigurisë që ai kërkon të mbjellë dhe të shpërndajë në Europë. Ky triumf mendoj se i ka rrënjët jo vetëm në historinë dhe traditën e shkëlqyer dhe mjaft frymëzuese të popullit francez, por njëkohësisht edhe tek ai solidaritet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar që u shfaq dje në Paris dhe ku Shqipëria ndodhet gjithmonë në

vijën e parë. Jo vetëm të këtij solidariteti, por edhe të luftës kundër terrorizmit, një rrezik për të gjithë njerëzimin, i cili jam i bindur që do të mposhtet duke forcuar bashkëpunimin dhe solidaritetin në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë komuniteteve tona fetare në marshimin e djeshëm në Paris.

“Njëkohësisht dua të shpreh edhe kënaqësinë dhe krenarinë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë komuniteteve tona fetare në këtë marshim dje në Paris, që tregon qartë se Shqipëria vazhdon dhe do të jetë një shembull i shkëlqyer i harmonisë dhe i mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare duke treguar kështu një shembull të shkëlqyer të tolerancës”, theksoi z. Meta.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Kuvendit, z. Meta shkruar në Librin e Ngushëllimeve në Ambasadën e Republikës së Francës:

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të pafajshme të ditëve të fundit në Francë pas sulmit terrorist në “Charlie Hebdo” pranë Ambasadës franceze në Tiranë, shpreh besimin e fortë se Franca e lirisë dhe e shpresës do të triumfojë përsëri edhe falë solidaritetit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar ku Shqipëria ndodhet në vijën e parë të përkrahjes, por edhe luftës kundër terrorizmit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: