Rusia ndërmori të shtunën një raund të dytë masiv sulmesh me raketa në Ukrainë brenda tre ditësh, thanë zyrtarët ukrainas. Shpërthimet u dëgjuan në gjithë vendin natën e Vitit të Ri.

Dhjetë shpërthime u dëgjuan në qendër të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se të paktën një person humbi jetën dhe tetë u plagosën pas një sërë shpërthimesh në kryeqytet.

Kryebashkiaku tha se një nga të plagosurit nga shpërthimet ishte një gazetar japonez i cili ishte dërguar në spital.

Një hotel në jug të qendrës së qytetit të Kievit u godit dhe një ndërtesë banimi në një lagje tjetër u dëmtua, sipas administratës së qytetit.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, kishte paralajmëruar për një sulm të mundshëm me raketa dhe tha se mbrojtja ajrore në rajon kishte vënë në shënjestër objektiva.

“Vendi terrorist goditi me disa breshëri raketash. Kështu po na urojnë për Vitin e Ri. Por ne do të fitojmë”, shkruante ai në Telegram pas disa shpërthimeve që tronditën kryeqytetin.

Sulmet vunë në shënjestër edhe qytete të tjera anembanë Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: