Dy javë para sulmeve të së premtes në Paris ndodhi një tjetër tragjedi, kur një avion rus u rrëzua mbi Sinai të Egjiptit duke shkaktuar vdekjen e 224 personave, ngjarje që u mor përsipër nga ISIS, por nuk u pranua nga autoritetet ruse dhe ato egjiptiane.

Duke u kthyer pas në kohë, numërohen dhjetëra sulme terroriste vdekjeprurëse gjatë viteve të fundit në Evropë. Sulmi ndaj gazetarëve të revistës franceze satirike “Charlie Hebdo”, që ndodhi në janar të 2015, shkaktoi 12 viktima. Gazetarët e revistës franceze “Charlie Hebdo” ishin në shënjestër nga ekstremistët edhe në vitin 2011, kur në stafin redaktues të gazetës u hodh një koktej Molotovi, por  për fat të mirë, askush nuk u lëndua.

Duke vijuar kronologjinë në retrospektivë, kujtojmë se në maj të vitit 2014, në qendër të Brukselit, nga të shtënat në Muzeun hebraik u vranë katër persona.

Në vitin 2011 Anders Breivik, vrau 77 njerëz në kryeqytetin norvegjez, Oslo, shumica e të cilëve ishin të rinj.

Sulmet terroriste të kryera nga ekstremistët kanë ndodhur dhe në Rusi. I tillë ishte sulmi i vitit 2011 në aeroportin më të madh të Moskës, Domodedovo, ku u vranë të paktën 35 persona dhe më shumë se 130 u plagosën.

Terroristët e Al-Kaedës në vitin 2005 kryen një sulm në tokën britanike. kamikazët shpërthyen eksplozivë në metro në Londër, ku u vranë rreth 50 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

Në vitin 2004 në kryeqytetin e Spanjës u krye një nga sulmet më të përgjakshme terroriste në historinë e këtij vendi, ku bombarduesit të frymëzuar nga Al-Kaeda shpërthyen katër trena të mbushur me njerëz. Sulmi shkaktoi  191 viktima dhe 2 mijë të plagosur.

Në vitin 2003, në Konsullatën Britanike në Stamboll dhe degët e bankës HSBC u kryen sulme, ku u vranë 27 persona, ndërsa 400 vetë u plagosën.

Parisi ishte në shënjestër të terroristëve edhe në vitin 2005, kur një bombë ishte vendosur në një stacion të metrosë dhe mori jetën e tetë personave dhe u plagosën 150 njerëz.

Nga 15 korriku–17 tetori 1995, sulme terroriste me bomba ndodhën në Paris në metro nga 15 korriku deri më 17 tetor 1995. Sulmet shkaktuan 8 viktima dhe plagosën më shumë se 100.

Sulmi më vdekjeprurës në Evropë ka ndodhur në vitin 1988, kur eksplodoi një aeroplan i kompanisë “Pan Am”, i cili fluturonte mbi Lokerbi të Skocisë. Si pasojë e këtij sulmi terrorist u vranë 259 persona. Sulmi u urdhërua nga autoritetet iraniane, ndërsa aksionin e kreu një organizatë terroriste siriane.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb