Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha gjatë një takimi me strukturat e degës 14 në Tiranë se demokratët nuk do të përlyhen nga hijet e korrupsionit.

“Kohët janë të errëta, sfidat janë të mëdha, por çfarë është shqiptare do të mbetet shqiptare, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, e nuk do të përlyhet as nga hijet e korrupsionit, as nga mbetjet e të shkuarës, dhe as nuk do të lejojmë të komprometojnë e të mbajnë peng Shqipërinë, e të mbajnë në vend Shqipërinë. Jemi kaq afër arritjes, i një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar. Një Shqipërie të lirive, të lirisë së fjalës, lirisë së pronës, lirisë së besimit në Zot, lirisë së lëvizjes, lirisë së tregut, dhe mishërimit të tyre në kornizën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Po! Kemi shpresuar që do ta arrinim ne! E arritëm një pjesë. Pa diskutim, ato pjesë të mira që kemi arritur, jo vetëm që nuk duhet të ulim kokën, por duhet të ngremë kokën, e ti themi çdo shqiptari…e keni prej sakrificës së demokratëve! Edhe lëvizjen e lirë, edhe anëtarësimin në NATO! Dhe gjithçka të keqe që keni këto 9 vjet, e që mundohen t’ia faturojnë partisë demokratike, duke shpikur ditë për ditë fabula e gënjeshtra, nuk i kanë prej demokratëve”, tha Basha.

Më tej, kryedemokrati u ndal dhe te zhvillimet e fundit në PD, duke theksuar se “Sulmi barbar i Berishës kundër demokrateve u bë për t’i dorëzuar partinë Ilir Metës”.

Sipas tij, “Nuk ka Zot mes nesh. Askush nuk mund ti vihet tjetrit, dinjitetit të tjetrit. Askush nuk mund të gllabërojë pronën, nderin, mundësinë, dinjitetin”.

“Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vet zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?! Se kështu i bie! Apo jo?!

Të sfiduar kemi qenë dhe jemi, por në ato sfida vetëm sa jemi forcuar e jo dobësuar vendosmërinë tonë, për ti shkuar deri në fund betejës. Po e them në numrin shumës, por kështu ndihem unë. Nuk e di, a e shpreh apo jo dhe mënyrën se si ndiheni dhe ju. Kjo betejë nuk na përkul! Asnjë hap pas nuk hedhim! Nuk mund te themi;” zgjedhim të ardhmen”, e të sprapsemi! Jo! Ditë për ditë nga një hap përpara! Ditë për ditë me më shumë shqiptare e shqiptare ne krahun tonë! Çfarë duan shqiptarët?! Duan ndryshim! Çfarë është ndryshimi?! Nuk është ndryshim karrigesh! Nuk është ndryshim fytyrash! Dua një ndryshim, i cili, njësoj si para 32 vjetësh, është një ndryshim i thellë, jo vetëm politik, por kulturor. Nuk duan më kultin e individit! Zoti na bën të gjithë të barabartë. Të gjithë jemi të barabartë përpara Zotit. Sigurisht na jep mundësi e fakultete të ndryshme, dhe pastaj secili, në jetën tonë, në përgjegjësinë e vet, i zhvillon ato, por duhet të ketë mundësi ti zhvillojë. Nuk ka Zot mes nesh. Askush nuk mund ti vihet tjetrit, dinjitetit të tjetrit. Askush nuk mund të gllabërojë pronën, nderin, mundësinë, dinjitetin. E që të jemi të tillë, duhet në radhë të parë që, ajo, instrumenti i shërbimit ndaj njerëzve në tokë, që është politika, ta ketë këtë fytyrë njerëzore, ta ketë këtë tipar njerëzor, që e ka humbur”, theksoi kryedemokrati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb