Numri i viktimave nga të shtënat masive në Kanada, që kanë ndodhur fundjavën e kaluar, është rritur nga 19 në 23, tha policia. Viktimat përfshijnë edhe një 17-vjeçar, ndonëse zyrtarët kanë besuar më herët se të gjithë të vrarët janë të rritur.

Sulmi ka ndodhur në provincën Nova Skocia dhe ka zgjatur rreth 12 orë. Sipas autoriteteve, sulmuesi i dyshuar, i maskuar si polic, ka qëlluar njerëz në lokacione të ndryshme dhe më pas është vrarë nga policia, raporton Rel.

Policia ka paralajmëruar qysh më herët se numri viktimave mund të rritet, pasi ajo ka qenë duke hetuar 16 skena të ndryshme të krimit. Autoritetet nuk e kanë përcaktuar ende motivin e krimit, por kanë thënë se sulmuesi i ka njohur disa nga viktimat.

Sulmi është cilësuar si më i rëndi në Kanada që nga viti 1989, kur një sulmues ka vrarë 15 gra në Montreal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb