Në mëngjesin e 7 tetorit, militantët e Hamasit hynë në rrugicat e qeta të fshatit Alumim në Izrael, duke nisur në një seri vrasjesh dhe shkatërrimesh, por shumica e viktimave të tyre nuk ishin izraelitë, apo edhe hebrenj, ata ishin punëtorë fermash nga Tajlanda dhe Nepali që flinin në një konvikt aty pranë.

Stafi i sigurimit pa i pafuqishëm në kamerat e sigurisë nga vetëm disa qindra metra larg, teksa 23 burrat që punonin aty u vranë nga militantët.

Midis më shumë se 1200 viktimave të sulmeve të Hamasit, tajlandezët përbëjnë grupin më të madh të shtetasve të huaj. Shumica ishin punëtorë në zonat bujqësore afër gardhit rrethues që ndan Izraelin nga Gaza. Hamasi liroi një grup prej 10 tajlandezësh të marrë peng të premten, por të tjerët mbeten të robëruar.

Dhuna ka shkaktuar një eksod të punëtorëve të huaj nga Izraeli, me rreth 10,000 punëtorë ferme që vlerësohet të jenë larguar që nga 7 tetori, sipas qeverisë izraelite.

Për fermat e qumështit dhe bujqësore të Izraelit, kjo ka paraqitur një problem pothuajse ekzistencial. Lopët e qumështit kanë nevojë për mjelje disa herë në ditë nga staf i trajnuar posaçërisht, ndërkohë që javët e fundit ka qenë edhe periudha e korrjes për shumë kultura bujqësore.

Vullnetarët nga i gjithë Izraeli kanë ndërhyrë për t’i mbështetur ata, por punëtorët e huaj shumë të nevojshëm ende nuk janë kthyer, dhe fermerët kanë frikë se pa garanci sigurie, e ardhmja e bujqësisë izraelite pranë Gazës është e pamundur.

“Unë jam ende i frikësuar,” tha punëtori i fermës Nattaphong Duangchan për CNN, i cili tani ndodhet në Tajlandë pas sulmeve të 7 tetorit.

I plagosur pas sulmeve, ai u fsheh për dy ditë në fermën ku punonte përgjatë kufirit të Gazës, përpara se të shpëtohej nga forcat izraelite të sigurisë. Kthimi nuk është një opsion për të, tha ai. “Asgjë nuk ka mbetur atje, dhe kam shumë frikë të kthehem”, u shpreh ai.

Fermat izraelite mbështeteshin kryesisht te punëtorët palestinezë deri në vitet 1990, por pas valës së dhunës gjatë Intifadës së Parë Palestineze dhe goditjes që pasoi nga Izraeli ndaj lirisë së palestinezëve për të punuar jashtë territoreve të pushtuara, Izraeli filloi të kërkonte diku tjetër për punëtorë në fermë.

Sot, shumë punëtorë fermash vijnë nga zona më të varfra në verilindje të Tajlandës, duke siguruar një fuqi punëtore të lirë për Izraelin. Sipas Ministrisë së Brendshme të Izraelit, fermat përreth Gazës punësonin rreth 6,000 punëtorë tajlandezë përpara fillimit të luftës.

Ministria izraelite e bujqësisë tha për CNN se rreth 30,000 dhe 40,000 punëtorë tani mungojnë nga fermat e vendit, gjysma e të cilëve janë palestinezë të ndaluar të hyjnë në Izrael nga Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli që nga sulmet e tetorit.

Pa asnjë shenjë ende të një kthimi masiv të punëtorëve tajlandez, qeveria izraelite po kërkon të rekrutojë rreth 5,000 punëtorë nga vende të tjera, përfshirë Sri Lankën.

Ministri izraelit i bujqësisë Avi Dichter tha për CNN se ai mendonte se militantët e Hamasit po synonin qëllimisht ekonominë e Izraelit. Rëndësia e bujqësisë në Izrael është më shumë se ekonomike.

“Bujqësia dhe blegtoria janë pjesë e pandashme e Sionizmit. Puna e tokës është një vlerë e rëndësishme për popullin e Izraelit,” tha Lior Simcha, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

“Ne duhet të hapim kufirin me Egjiptin, në mënyrë që të gjithë njerëzit nga Gaza të shkojnë në Egjipt, të jetojnë atje. Dhe mbyllim kufirin dhe të kultivojmë patate deri në det,” tha ai nga njëra prej fushave të tij. “Kjo është siguria që na duhet të kthehemi. Dhe nuk do të ndodhë, dy milionë njerëz atje, nuk mund t’i hedhësh, t’i qëllosh, janë njerëz”, u shpreh për CNN fermeri i perimeve Yosi Inbar

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka përshkruar një strategji të përcaktuar, pas luftimeve për Gazën, ku më shumë se dy të tretat e 2 milionë banorëve tani janë të zhvendosur brenda vendit dhe ku më shumë se 40% e të gjitha njësive të banimit janë shkatërruar ose dëmtuar.

Inbar tha se mungesa e fuqisë punëtore tashmë e ka detyruar atë të braktisë prodhimin e domates. Pa vullnetarët, kungulli do të kishte një fat të ngjashëm, tha ai. Për një kohë të gjatë, ai nuk e di se si mund ta mbajë fermën e tij të funksionojë me kapacitet pa kthimin e punëtorëve të huaj.

“Punëtorët e huaj drejtojnë fermën, ata bëjnë të gjithë mjeljen,” tha menaxheri i fermës Stevie Marcus për punën e fermës përpara 7 tetorit. Sot, katër vullnetarë e ndihmojnë atë të mjelë tufën e tij dy herë në ditë. Duke kërkuar trajnim të veçantë nga një veteriner për të punuar me kafshët, këta vullnetarë hasin problematika po ashtu.

Në fundjavat e fundit, grupi që organizon vullnetarët e Inbar-it, Vëllezërit dhe Motrat për Izraelin, ka mbledhur deri në 1,000 vullnetarë nga i gjithë vendi, shumë prej të cilëve u larguan nga rreth Tel Avivi, për të mbajtur fermat lokale në punë. Edhe ditët e javës shohin qindra që heqin dorë nga koha e tyre, tha organizatorja Lisa Perlman për CNN. Organizata e saj ka bashkuar rreth 50,000 vullnetarë me ferma në të gjithë Izraelin që nga fillimi i luftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: