Parlamenti Europian ka reaguar ashpër për sulmin e paligjshëm në ‘Prestige Resort’, pronë e Presidentit të grupit mediatik “News24” dhe “Panorama”. Në përgjigje të një amendamenti të propozuar nga deputeti i opozitës, Gazment Bardhi në Komitetin Parlamentar te asociim stabilizimit BE-Shqipëri, Parlamenti Europian ka përfshirë në rezolutën përfundimtare një rekomandim, ku i bën thirrje Shqipërisë që të heqë dorë nga dhuna dhe kërcënimet ndaj medias.

Po kështu, Parlamenti Europian  i kërkon autoriteteve që të marrin veprime decisive kundër dhunës, intimidimit, fushatave të shpifjes dhe influencës indirekte financiare dhe politike ndaj medias së pavarur dhe gazetarëve. Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, pjesëmarrës në  mbledhjen e parlamentit Europian gjatë diskutimit për lirinë e medias është shprehur se sulmi i qeverisë ndaj bizneseve të pronarit të “Focus Media Group” është tashmë një rast i përsëritur.

Për opozitën sipas Bardhit, ‘Focus Media group’ ka qenë dritare objektive e informimit të publikut, ku ka pasur edhe investigime apo lajme kritike ndaj qeverisë. Ai ka kërkuar dënimin e sulmit dhe t’i kërkohet autoriteteve shqiptare të ndalin presionin ndaj medias.

“Sot, në një rast të përsëritur, autoritetet shqiptare, përfshirë forca të shumta policie, pa asnjë paralajmërim, kanë ndërhyrë dhe po shkatërrojnë bizneset në pronësi të themeluesit dhe drejtuesit të Fokus Media, që përfshinë televizionin më të madh informativ në vend News 24, portalin më të madh në vend BalkanWeb, dhe gazetës me të madhe në vend Gazetës Panorama.


Ky grup mediatik e ka konsideruar këtë ndërhyrje si të paligjshme, brutale, dhe që bëhet si një hakmarrje politike ndaj linjës editoriale që është mbajtur gjatë kësaj kohe. Në fakt për ne si opozitë, këto media kanë qenë një dritare objektive e informimit të publikut, ku ka patur edhe investigim apo lajme kritike ndaj qeverisë. Ne mbështesim pa asnjë dyshim zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë, por në rastin konkret dyshimi i arsyeshëm është që ndërhyrja në bizneset e pronarit të një prej grupeve mediatike më të rëndësishme në Shqipëri bëhet si formë ndëshkimi dhe tentativë frikësimi ndaj medias. Prandaj ne kërkojmë që të përfshijmë një amendament ku dënojmë këto sulme të qeverisë ndaj lirisë së medias dhe ti kërkojmë urgjentisht autoriteteve shqiptare të ndalin presionin ndaj medias, të ndalin veprimet arbitrare dhe të bëjnë transparencë të plotë ndaj këtij rasti. Ndërhyrja nuk është shoqëruar me asnjë dokument zyrtar që justifikon prishjen e biznesit he kjo është e pa tolerueshme dhe shumë shqetësuese. Kur kjo i ndodh një grupi të madh mediatik, çfarë mendoni se ndodh me një gazetar të thjeshtë në Shqipëri? Prandaj qeveria duhet të bëjë transparencë menjëherë dhe ti nënshtrohet rregullave të shtetit ligjor, të presë vendimmarrjen e sistemit të drejtësisë vendimet gjyqësore dhe më pas të zbatojë ligjin dhe këto vendime”, u shpreh Bardhi.

Sipas raportit dhe rezolutës së miratuar, rezulton se shqetësimet e BE mbeten të larta dhe reflektojnë dhe shqetësimet e ngritura nga opozita.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: