UASHINGTON – Një gjykatës federal të hënën dha një dënim me tetë muaj burg për banorin e Floridas, Paul Hodgkins, për rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, duke e bërë atë të parin që dënohet me burg ndër qindra protestuesit e akuzuar që po hetohen penalisht.

Zoti Hodgkins, 38 vjeç, u deklarua fajtor në 2 qershor për pengimin e një procedure zyrtare, pasi Kongresi ishte në procesin e certifikimit zyrtar të zgjedhjes së Joe Biden-it nëntorin e kaluar si president i Shteteve të Bashkuara, kur përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump hynë me forcë në ndërtesë.

Në një seancë dëgjimore të hënën, prokurorja Mona Sedky i tha gjyqtarit Randolph Moss, se Hodgkins, banor i Tampas, vuri syze para se të hynte në sallën e Senatit gjatë trazirave dhe “pozoi me krenari një selfie” që ua dërgoi miqve.

Prokurorja Sedky pranoi se Hodgkins nuk shkatërroi ndonjë pronë “dhe nuk plagosi askënd”.

Në një deklaratë drejtuar gjykatës, zoti Hodgkins tha se ai ishte “i penduar” për veprimet e tij në Uashington dhe pranoi se këto veprime mund të kenë inkurajuar të tjerët të merren me akte shkatërruese.

“Ky ishte një vendim i pamenduar nga ana ime për të cilin unë marr përgjegjësinë e plotë”, i tha zoti Hodgkins gjykatës.

Gjykatësi Moss ra dakort se Hodgkins nuk kishte qenë i dhunshëm, nuk kërcënoi askënd dhe nuk organizoi sulmin në Kapitol. Por gjykatësi tha se Hodgkins shkoi në Kapitol “për të penguar çertifikimin e zgjedhjeve dhe ai pranoi se e bëri këtë”.

Gjykatësi tha se ndërsa ai beson se pjesëmarrja e zotit Hodgkins në trazira ishte një “anomali në jetën e tij”, ai gjithashtu besoi se sulmi i 6 janarit kishte “njollosur” historinë e Shteteve të Bashkuara dhe se është e nevojshme për të parandaluar protestuesit e ardhshëm.

Më shumë se 535 njerëz janë akuzuar për pjesëmarrje në sulm, një përpjekje e pasuksesshme për të ndalur Kongresin të çertifikonte fitoren e zotit Biden ndaj Presidentit Trump, i cili kishte pretenduar në mënyrë të gabuar se zgjedhjet i ishin vjedhur atij përmes manipulimit të gjerë elektoral.

Ndërsa protestues të tjerë të akuzuar për 6 janarin kanë pranuar fajësinë, zoti Hodgkins u bë i pari që u dënua me burg./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb