Ish-ministri socialist, Arben Malaj u shpreh sot në një intervistë në News 24, se ministrat kanë për detyrë të mbrojnë biznesin ndaj veprimeve arbitrare të institucioneve të tyre dhe jo t’i vënë çelësin bizneseve duke rritur papunësinë.

Duke iu referuar rasteve të Prestige dhe Birra Tirana, ai tha se investitorët e huaj marrin parasysh raportet ndërkombëtare, çka për këto dy raste është shumë zhgënjyese.

Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit me 3%. Çfarë ndikimi do ketë te kreditë?

Besoj se BSH po ndjek modelin e Bankës Qendrore. Rritja e kostos do të rrisë koston e kredive dhe në kushtet kur huamarrësit kanë parapëlqyer kreditë me kurs luhatës, ata do të preken. Rritja e normës bazë mendohet të vërë në kontroll inflacionin. Është një zgjidhje e vështirë.

Një vështirësi e sjell?

E sjell te individët, si te kreditë konsumatorë, ashtu edhe te kreditë e shtëpive. ka disa efekte negative, por bëhet një debat mes inflacionit të lartë dhe stabilitetit.

Kur flasim për efekte negative, sa afatgjata mund të jenë?

Janë të ndjeshme. Kam pasur kontakte me vendimmarrës që kanë marrë kredi dhe u është rritur kësti. Ata janë të shqetësuar se kanë pasur një rritje 15% të këstit mujor dhe kjo është një rritje në nivel shqetësues. Duhen marrë masa që të mos kalojmë nga ulja e inflacionit te rritja e papunësisë.

Paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë. Si mendoni se do të ndikojë?

Qeverisja e vendit nuk bëhet nga kryeministri dhe qeveria, por nga grupet e interesit. Kryeministri deklaroi  një rritje të pagës minimale, por vendimi duhej të merrej në këshillin kombëtar të punës. Duhet të ruhemi nga politika populiste për qëllime të caktuara dhe të bëjmë një qeverisje të vendit me përgjegjshmëri.

Bonusi për pensionistët bëhet për zgjedhjet e 14 majit?

Në fillim duhet të kalojë ligji për tatimin e bizneseve të mëdha. Nëse rritja e pensioneve shoqërohet jo me rritje borxhi por me të ardhura suplementare, është një politikë e mirë ekonomike dhe është e qëndrueshme.

Zonja Balluku ka sulmuar Birrën Tirana dhe Birrën Korça për mospagim të taksave. Ato nuk janë ndihmuar asnjëherë nga qeveria kur ishte pandemia

Ministrat dhe deputetët duhet të kenë të qarte që janë zgjedhur nga votuesit. Ministri i Financave nuk mund të bëhet drejtor doganash dhe tatimesh në komunikim publik. Ministri duhet të krijojë një balancë mes administratës publike dhe objektivave që ka qeveria. Ministri mbron biznesin nga veprimet arbitrare që mund të bëhen nga administrata e tij. Ministri nuk hyn në debat për emra, kompani dhe biznesmenë. Janë organet tatimore që i dinë problemet. Mund të flasin drejtori i tatimeve apo doganave por edhe ata duhet të kenë shumë kujdes në deklarata, nuk mund të përmendin cinizma, por të bazohen në shifra dhe argumente. Për të minimizuar riskun që qeveria mund të keqpërdorë ndaj kompanive të ndryshme, sidomos për mallrat e akcizës, kontrolli duhet të kryhet njëherësh në të gjithë prodhuesit, jo dikë ta tolerojë dhe dikë ta penalizojë. Pasojat që ka një qëllim i qeverisë është lufta për tregjet dhe mundet që me politikat e penaliteteve të nxjerrësh nga tregu një prodhim vendas dhe ti krijosh më shumë hapësirë një importuesi.  Nuk ka politikë më të keqe ekonomike sesa të dëmtosh prodhimin vendas edhe në aspektin ekonomik, në përfitimet nga pagat, nga të punësuarit. Duhet bërë shumë kujdes. Këshilla ime është sa më pak përbaltosje dhe sa më pak agresivitet qeveritar ndaj çdo subjekti. Në këtë rast bëhet fjalë për kompani që kanë emrin e tyre në tregun shqiptar, janë krenari. Ato duhet të shihen si ti strukturojnë borxhet dhe jo si ti vihet çelësi dhe të lënë të papunë 300 punonjës.

Çfarë imazhi japim kështu kur qeveria punon me dy standarde?

Vëmendja që mori në mediat ndërkombëtare rasti i Prestige dhe rasti i Birrës Tirana, janë raporte që lexohen nga të gjitha kompanitë dhe nëse ata arrijnë në përfundimin që qëndrimi agresiv për një falimentim të detyruar ndaj Prestige dhe dy fabrikave bëhet për shkak të qëndrimit editorial të mediave, është zhgënjyese për nivelin e demokracisë nga i cili qeverisemi. Në politikë thuhet se në një vend kur populli ka frikë nga qeveria kjo është diktaturë dhe në një vend kur qeveria ka frikë nga populli kjo është demokraci. Me reagimin publik brenda të gjitha normave duhet të tregojmë se mund të ballafaqohemi publikisht qoftë edhe me protesta në rastet kur qeveria keqpërdor statusin e saj për qëllime përfituese në luftën ndërtregtare. Nuk është kaq e lehtë. Vlerësimi për shkallën e kapjes së shtetit, të korrupsionit dhe pengesave të tjera janë të tilla që mbajnë të nënshtruara oportunitete shumë më të mëdha që ka ekonomia shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb