Maqedonia e Veriut është trazuar nga debati i ditëve të fundit lidhur me ligjin për gjuhët. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski tha disa ditë më parë se ligji në fjalë “ka krijuar një lloj kaosi juridik, i cili ka rezultuar me kaos politik, mosbesim dhe dilema”.

Reagimi i faktorit politik shqiptar ka qenë i menjëhershëm.

Mirëpo, nisma për shfuqizimin ose rishikimin e ligjit duket se ka mbështetjen e qeverisë së VMRO-DPMNE.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për vendimin e mundshëm për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai nuk komenton më shumë se cili mund të ishte vendimi i duhur.

“Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë gjyqësore në vend dhe nuk mund ta mendoj se ekzistojnë qytetarë ose aktorë politik që veten e vlerësojnë si të përgjegjshëm dhe nuk respektojnë vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kështu që ta lëmë politikën anash dhe të shohim çfarë vendimi do të sjell Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk është anarki. Ne nuk mund të sillemi sikur të ishim në anarki, sado që kjo të mos na pëlqejë. Jo gjithmonë në jetë na kanë pëlqyer gjërat. Ta presim vendimin dhe të sjellim përfundime”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga ana tjetër, kreu i partisë opozitare, LSDM, Venko Filipçe, thotë se bëhet fjalë për shqyrtime të pjesshme të ligjit dhe jo në tërësi. Edhe ai nuk komenton më shumë, pa u marrë një qëndrim partiak.

“Sa e di unë, nuk bëhet fjalë për përdorim të përgjithshëm por vetëm për disa pjesë të tij. Sa i takon kësaj, partia do të marrë qëndrim në ditët e ardhshme dhe do të dalim publikisht”, u shpreh Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Kreu i Besës Bilall Kasami thotë se kjo është pasoja e politikave gjysmake të BDI-së mirëpo zotohet se gjatë qeverisjes së VLEN s’do të ketë kthim pas në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Këta janë disa nga pasojat e keqqeverisjes së BDI-së në të kaluarën, ku ka ofruar zgjidhje gjysmake dhe ka bërë më shumë politikë se sa vendime në interes të shqiptarëve. Ne garantojmë që edhe situatën me përdorimin e gjuhës shqipe por edhe me të drejtat e shqiptarëve, do ta avancojmë dhe nuk do të ketë përkeqësime.

Sigurisht se edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe në institucionet tjera të drejtësisë ende ka mbetje nga pushteti i kaluar të cilët do të mundohen, duke i shërbyer opozitës, në këtë rast BDI-së, të krijojnë situata të tensionuara”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Gjatë ditëve të fundit, kanë reaguar edhe parti të tjera. Sipas Frontit Evropian, nëse gjykata e merr parasysh nismën, kjo do të jetë kthim pas në kohën para Marrëveshjes së Ohrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb