KORÇË

Sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS ka paralizuar punën në pikat kufitare të vendit. Duke nisur nga Rinasi, ku në mesnatë ka ndodhur sulmi dhe më pas në pikat e tjera kufitare janë krijuar radhë të gjata udhëtarësh.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës ky problem prej 12 orësh tashmë ende nuk është zgjidhur ndërsa punonjësit e policisë në doganë po punojnë manualisht.

Në Portin e Vlorës është pezulluar puna që prej mëngjesit. Kjo ka shkaktuar një fluks të lartë pasagjerësh në piken e kalimit të kufirit në portin e Vlorës.

Kalimi i pasagjerëve dhe këtu do të kryhet në mënyrë manuale.

Qindra qytetarë që duan të kalojnë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet doganës së Bllatës në Dibër po qëndrojnë në radhë pasi sistemi nuk funksionin si pasojë e sulmit nga hackerat e Iranit.

Ashtu si në të gjitha pikat e tjera doganore edhe në Bllatë hyrje-daljet nga kjo pikë doganore po mbahen me regjistër, ç’ka bën që koha e procedurës të jetë e gjatë.

Emigrantët që kanë zgjedhur këtë doganë për të kaluar në Greqi, thonë se po qëndrojnë në radhë me orë, si asnjëherë më parë.

Burime nga dogana e Bllatës thanë se janë fikur të gjithë kompjuterët, duke ju shkëputur lidhjen e internetit, për arsye sigurie. Ndërkohë, bllokimi i sistemit doganor ka vështirësuar punën e policisë në identifikimin e personave që kanë probleme me ligjin.

Qafë Botë: Për shkak të hakerimit të sistemit TIMS që ka ndodhur që mbrëmjen vonë të së premtes në pikën e kalimit kufitar në Qafë Botë shërbimi për kontrollin e kalimtarëve drejt Greqisë është bërë në mënyrë manuale. Deri tani numri i kalimtarëve që janë përpunuar në këtë pikë kalimi është 400. Ndërsa nuk është krijuar fluks i papërballueshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb