Shefi i mbikëqyrjes atomike të OKB-së, Rafael Grossi, ka denoncuar sulmet e “shënjestruara” në centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia, duke bërë thirrje për “ndalimin e kësaj çmendurie”.

“Rreth një duzinë sulmesh kishin shënjestruar centralin dhe situata ishte shumë serioze”, tha kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për transmetuesin francez BFM TV.

“Është e rëndë që disa njerëz e konsiderojnë një termocentral bërthamor si një objektiv legjitim ushtarak”, tha ai.

Megjithatë ai ka refuzuar të fajësojë njërën nga palët për sulmet.

“Kushdo qoftë, ndaloni këtë çmenduri! Njerëzit që po e bëjnë këtë e dinë se ku po godasin. Është absolutisht e qëllimshme, e synuar”, tha ai.

Më herët të dielën, Kievi dhe Moska fajësuan njëri-tjetrin për bombardimin e vendit të termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

IAEA do të dërgojë një ekip ekspertësh në central, objekti më i madh bërthamor në Evropë, pas shpërthimeve të fuqishmegjatë të shtunës dhe të dielës.

“Centrali është në vijën e frontit, ka aktivitete ushtarake që janë shumë të vështira për t’u identifikuar, ka trupa ruse dhe trupa ukrainase në veprim. Ka pasur dëmtime në disa vende mjaft delikate,” tha Grossi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: