Zbardhen detaje nga sulmi me arme nga tre persona të armatosur dhe me maska ne shtëpinë e Elton Çiçës. Policia dyshon se bëhet fjalë për një tentativë atentati ndaj familjarëve, por nuk përjashtohet as një grabitje e mundshme. Një ngjarje e tillë vjen një vit pas vrasjes së Elton Çiços dhe dy vite pasi familjes së tij iu grabitën 5 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 në lagjen “Demokracia” ku ndodhet vila 3-katëshe. Sipas Policisë, autorët janë larguar duke marrë me vete vetëm serverin e kamerave të sigurisë për të shmangur kështu identifikimin përmes pamjeve pasi banesa monitorohet 24 orë. Ka qenë 63-vjeçari Naim Çiça, që ka dhënë alarmin për dhunimin e pronës së tij.
shtepia e cicos3

Personat e armatosur dhe të maskuar kanë arritur që të hyjnë brenda oborrit të vilës, ndërsa në momentin që janë diktuar nga i moshuari, kanë qëlluar disa herë me armë dhe janë larguar me shpejtësi. Autorët, sipas Policisë, janë larguar duke marrë me vete serverin e kamerave të sigurisë që monitorojnë vilën dhe rrugën që të çon te banesa e familjes Çiça. Policia rrethoi ndërtesën 3- katëshe, ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pesë gëzhoja të një pistoletë TT. Policia beson se autorët mund të kenë lënë gjurmë dhe në shtyllën metalike në momentin që kanë nxjerrë jashtë funksioni kamerat e sigurisë. Këto të dhëna priten të analizohen në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës në kryeqytet për të zbuluar identitetin e autorëve.

shtepia e cicos ne tepelene
Gjatë marrjes në pyetje të familjarëve të Elton Çiçës, vetëm vëllai i tij, Blerim Çiça, ka dhënë detaje për atë që kishte ndodhur. Nga ana tjetër, prindërit e moshuar nuk kanë dhënë shumë detaje duke u shprehur se janë të tronditur për atë që u kishte ndodhur duke mos qenë në gjendje të japin shpjegime. Mësohet se, tre autorët, para se të merrnin serverin në banesë, nxorën jashtë funksionit kamerat vëzhguese, të cilat qëndrojnë jashtë rrethimit të shtëpisë në majë të një shtylle të ndriçimit publik.
Policia dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje dhe me vrasjen e Elton Çiçës, e ndodhur në maj të vitit të kaluar në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku u ekzekutua me dy plumba në kokë. Jani Alia, autori i dyshuar për vrasjen e 36-vjeçarit, është ende në kërkim nga Policia.

VRASJA
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për ekzekutimin e Elton Çiços dhe ngriti akuzë ndaj katër personave, mes të cilëve një oficer policie. I shumëkërkuari Jani Aliaj do të gjykohet për akuzën e vrasjes me paramendim të Çiços, me të cilin sipas Prokurorisë kishte patur konflikte të forta të nisura vite më parë në burgun e Koridhalosë në Greqi. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se gjatë qëndrimit në burg Jani Aliaj ka rrahur për vdekje, një mik të Elton Çiços dhe më pas është konfliktuar me atë vetë.

Pasi kanë përfunduar dënimin dhe janë kthyer në Shqipëri, Çiço, i cili ishte shprehur se “do ta vriste me çdo kusht”, armikun e tij të përbetuar, ka tentuar të marrë hak duke i organizuar dy atentate Jani Aliajt, por pa mundur ta ekzekutojë atë. Por një vit më parë, Jani Aliaj, i veshur sportiv me kapele në kokë, sikurse përshkruhet në dosjen e organit të akuzës, ka hyrë në brendësi të një lokali të njohur në kryeqytet dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Elton Çiços, i cili ndodhej në shoqërinë e oficerit Alban Trimi, mjekut Elton Rraja dhe një personi të tretë.

Ai është larguar nga vendi i krimit, me një makinë “Ford Focus”, që e priste të dera e lokalit.
Nga hetimet, rezultoi se makina ishte në pronësi të Renato Milloshit, i cili do të përgjigjet vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit, pasi nuk u provua që ishte i përfshirë ne vrasje. Kamerat e sigurisë në lokal dhe bizneset përreth, si dhe gjetja e makinës, ndihmuan Prokurorinë të identifikonte autorin e krimit. Ndërkohë, oficeri gjyqësor Alban Trimi dhe Redian Rraja, janë akuzuar nga Prokuroria për “Kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë i pandehuri Trimi ka prishur vendngjarjen, pasi ka hequr prej aty, çantën e dorës së viktimës dhe një pistoletë. Po, ndërsa është hedhur dritë mbi mekanizmin e krimit, Prokuroria nuk ka mundur ende të zbulojë emrin e personit që drejtonte makinën e përdorur në vrasjen e Çiços. Krimi i 1 majit të një viti më parë u pasua me ngjarje tejet të rënda kriminale, pasi janë ekzekutuar njëri pas tjetrit, miq të Elton Çiços dhe Jani Aliajt.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sulmi-me-arme-ne-banesen-e-vezhguar-prinderit-e-cicos-te-tronditur-autoret-kur-iken-moren-5/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb