Ish-deputeti i PD Klevis Balliu ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në Tushemisht ku u sulmua me armë një hotel.

Balliu deklaroi nga Pogradeci se biznesi është i terrorizuar dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e kthen në qytet të mafies. Sipas tij, është kërcënuar i gjithë turizmi.

“Biznesi është i terrorizuar. Veprimtaria e bandave me ndihmën e Edi Ramës po terrorizon biznesin dhe pushuesit. Edi Rama po e kthen Pogradecin nga qyteti i Lasgushit në qytetin e kamorrave. Ngjarje të tilla e bëjnë edhe me të egër, edhe më të rëndë situatën ekonomike e cila është rënduar nga pandemia. Nuk është kërcënuar vetëm biznesmeni por i gjithë turizmi. Sot ne nuk kemi siguri as në Pogradec e as kudo në Shqipëri. Iu bëj thirrje gjithë Shqiptarëve dhe pogradecarëve që ta lexojnë mirë këtë situatë, se çfarë po bën Edi Rama dhe si po kërcënohet jeta e tyre”, theksoi ai.

Balliu i bëri thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat dhe të arrestojë autorët e krimit barbar. “Të mos rrijë në studiot e gazetarëve por të kapë kriminelët. Ndaj në këtë situatë qytetarët duhet që tashmë të mbështesin jo vetëm aksionet e opozitës por t’i mbështesin edhe me votë”, deklaroi Balliu.

Ngjarja ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm në Tushemisht ku është qëlluar me armë zjarri nga dy persona tek hotel Driloni.

Sipas policisë, autorë të paidentifikuar ende kanë qëlluar drejt disa mjeteve të parkuara në parkingun e një hoteli, duke iu shkaktuar dëme materiale. Pronari i hoteli deklaroi se i rrezikohet jeta dhe kërkoi mbrojtje për familjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb