Zyrtarët amerikanë pretendojnë se sulmet me dron në një fabrikë ushtarake në qytetin qendror të Iranit, Isfahan, janë kryer nga Izraeli.

Ndërsa, Teherani tha dje se dronët kishin sulmuar fabrikën në Isfahan mbrëmjen e kaluar, duke e quajtur operacionin “të pasuksesshëm”.

Mediat amerikanë kanë raportuar se Izraeli qëndron pas sulmeve, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe njerëz të njohur me operacionin. Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA ka thënë për “CNN”, se SHBA nuk ka kryer sulme apo operacione brenda Iranit.

“Ne kemi parë raportet e shtypit, por mund të konfirmojmë se asnjë forcë ushtarake amerikane nuk ka kryer sulme apo operacione brenda Iranit. Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën, por nuk kemi asgjë për të ofruar”, tha zëdhënësi.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Iranit nuk ka ofruar publikisht asnjë informacion se kush e kreu sulmin. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk pranuan të komentojnë.

“Një shpërthim ka ndodhur në një nga qendrat ushtarake të lidhura me Ministrinë e Mbrojtjes,” tha zëvendës shefi i sigurisë, Mohammad Reza Jan-Nesari.

Jan-Nesari tha se shpërthimi kishte lënë disa dëme, “por fatmirësisht nuk pati viktima”.

Në vitet e fundit, disa shpërthime dhe zjarre të dyshimta kanë ndodhur rreth objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane.

Kujtomë që në korrik të vitit 2020, një zjarr përfshiu kompleksin bërthamor iranian Natanz , një vend që ka qenë kyç për programin e pasurimit të uraniumit të vendit, në provincën Isfahan, në jug të kryeqytetit Teheran. Autoritetet iraniane vendosën të mos shpallin publikisht gjetjet se çfarë e shkaktoi zjarrin për shkak të shqetësimeve të sigurisë , sipas Këshillit Suprem të Sigurimit të Kombit të Iranit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb