Ndaj 31-vjeçarit Gerti Shehu që sulmoi ditën e djeshme gjatë protestës liderin e opozitës Sali Berisha janë ngritur dy akuza.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se zyrtarisht policia i ka komunikuar 31-vjeçarit se është arrestuar për dy vepra penale, goditje për shkak të detyrës dhe plagosje të lehtë me dashje. Për këtë të fundit duhet të ketë një ekspertizë.

“Kjo çështje është marrë në duar nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës nga agjentët e policisë së Tiranës.
Mbrëmë janë marrë dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ku rezulton se ai ka dalë nga xhamia para se të godiste Berishën.

Janë marrë në pyetje dhe dy pjesëtarë të grupit të shoqërimit të Berishës, të cilët kanë thënë se e goditën të riun për shkak të situatës së krijuar. Nën urdhrat e prokurorit Dritan Nushi, do të merren në pyetje dhe besimtarë të xhamisë që frekuentonte Gerti Shehu për të zbuluar më shumë për sjelljen e tij”, raportoi Lala.

Ajo tha më tej se Gerti Shehu deri në këto momente nuk ka dhënë asnjë shpjegim të detajuar për krimin. Ai është marrë pas sulmit nga ish-zyrtari i policisë Erzen Breçani dhe e ka dorëzuar pranë policisë, por gjatë rrugës z. Breçani ka pasur një bisedë të gjatë me 31-vjeçarin dhe e ka pyetur se përse e kishe goditur, apo me kë kishte ardhur në protestë.

“Për këto detaje z. Breçani mund të pyetet nga policia. Autori ka deklaruar se do të flasë në një moment të dytë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Sipas mjekëve të Traumës ka një traumë në hundë, por jashtë rrezikut për jetën.
Prokurori i çështjes ka ngritur dy akuza ndaj tij, megjithatë duhet parë cila do jetë masa që do të kërkojë për të, me shumë gjasë ajo e arrestit me burg. Dosja zyrtarisht nuk është referuar pranë Gjykatës së Tiranës.
Ajo që duhet theksuar se për cilat arsye e goditi 31-vjeçarin z. Berisha dhe a ka pasur persona të tjerë që e kanë shtyrë, teksa Tirana ishte në alert dhe kishte forca të shumta të Policisë së Shtetit në terren.
Do të ketë dhe një hetim se si forcat e policisë e kanë monitoruar protestën. Policia e Shtetit ende nuk e ka të qartë motivin e këtij sulmit”.

B

Sipas gazetares, një raport mjekësor i cili është shpërndarë ditën e djeshme në media nuk është marrë në formën e duhur ligjore.
“Do të jetë një grup ekspertësh që do të kryejnë ekspertizën dhe për gjendjen e tij mendore. Do të jenë ekspertë të fushave të ndryshme që do ta kryejnë këtë akt. Dokumenti është shpërndarë sipas policisë nga ana e familjarëve. Parë në këtë këndvështrim nuk ka asnjë forcë ligjore. Mjeku Sadik Lala ka deklaruar se e ka firmosur këtë dokument, por nga ana tjetër dhe mjeku do të thirret për të dhënë deklarimet e tij në prokurori.
Prokuroria do të sekuestrojë të gjithë regjistrat mjekësore të Gerti Shehut dhe do të merren dhe rekomandimet e mjekut të familjes.
Do të pyeten dhe persona që e kanë njohur atë dhe do të shihen dhe precedentët e tij penalë, pasi vetë policia ka deklaruar se ishte i skeduar për disa vepra penale.
Ekspertët e pavarur të caktuar nga prokuroria do të kryejnë ekspertizën për të verifikuar gjendjen e tij mendore”.

31-vjeçari ishte me origjinë nga Tepelena dhe banonte pranë zonës së Urës së Tabakëve së bashku me nënën. “Punonte si shpërndarës picash dhe ishte pajisur me leje drejtimi në shkurt të këtij viti. Një tjetër pikëpyetje se si mund të kishte marrë patentën nëse kishte probleme të shëndetit mendor. Është ndër vite i skeduar për vepra të ndryshme penale. Në gusht të këtij viti dyshohej për prishje të qetësisë publike dhe për këtë arsye prokuroria ka kërkuar të gjitha skedimet. Nëse ka përdorur dokumente mjekësore për t’i shpëtuar drejtësisë. Bëhet fjalë vetëm për pak orë hetime nga momenti kur ka ndodhur ngjarja, pasi fillimisht janë shqyrtuar pamjet dhe janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë.

Procedura parashikon që për shkak se ka lëndime në pjesën e fytyrës, fillimisht duhet t’i nënshtrohet aktit të ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve. Të njëjtit akt do t’i nënshtrohet dhe autori. Më pas do të jetë faza tjetër, ku procedura e përcakton që dhe vetë z. Berisha të japë shpjegime në polici. Jo domosdoshmërisht prokuroria mund ta konsiderojë shumë të rëndësishme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb